Ka filluar seanca ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.
Dy prej të akuzuarve nuk kanë pranuar të deklarohen rreth fajësisë. E në raste të tilla, atëherë deklarimi merret për pafajësi. Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk pranuan të deklarohen.
Kurse, Dushan Maksimoviq, ka thënë se “nuk ka lidhje me këtë aktakuzë”.
Fotoreporteri i Nacionales, Visar Kadrolli, ka realizuar fotografi nga seanca.
Tre të arrestuarit akuzohen për terrorizëm me pasojë vrasje të rëndë.
Aktakuza
Prej vitit 2017 deri në 24 shtator 2023, kryeterroristi Milan Radoiçiq, kishte nisur me grumbullimin e armatimit të rëndë, uniformave e mbështetjes logjistike për kryerjen e sulmit që u krye në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Kështu të paktën thuhet në pjesën hyrëse të aktakuzës së Prokurorisë Speciale e cila është ngritur sot. Nacionale e ka siguruar aktakuzën, në të cilën janë të përfshirë 45 persona, në mesin e të cilëve edhe Milan Radoiçiq.
“Në periudhën kohore nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023, i pandehuri Milan Radoićić, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, ku pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë – blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake – sigurimi i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike – sigurimi I pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit – financimi i pjesëmarrësve të grupit terrorist për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga gazeta Nacionale.
Me këtë, Radoiçiqi sipas Prokurorisë, ka kryer veprën “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”.
Ai gjithashtu akuzohet edhe për shpërlarje të parave.
“Nga data 01.01.2017 deri më datë 24.09.2023, i pandehuri Milan Radoićić duke e ditur se një pjesë e të hyrave e tij burojnë nga aktiviteti kriminal i përcaktuar si në pikën III të dispozitivit dhe aktivitetit tjetër kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të\ pandehurit Radule Stević – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O dhe Radule Stevic B.I dhe aktivitetit ekonomik të tyre, këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Në pjesën hyrëse të aktakuzës, bëhen të ditura veprimet që i ka kryer ky grup terrorist me sulmin që kishte nisur rreth orës 1 të mëngjesit. Milan Radoiçiq, sipas aktakuzës, ishte udhëheqësi i grupit terrorist.
“Më datë 24.09.2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, I pandehuri Milan Radoićić në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar së bashku me pjesëmarrësit e grupit Blagoje Spasojević, Vladimir Tolić, Dusan Maksimović, Vladimir Radivojević, Ugljesa Jaredić, Milorad Jevtić, Vlastimir Andrić, Aleksandar Milosavljević, Lazar Smigić, Veljko Djordjević, Vladimir Vućetić, Stefan Jovanović, Milovan Krstović,
Uros Milić, Trajko Vasić, Danilo Vasić, Vukasin Jaredić, Sasa Perić, Nemanja Stanković, Momćilo Vucković, Stefan Radojković, Marjan Radojević, Marko Arsić, Zarko Cvetković, Krsto Damjanović, Stefan Milosavljević, Marko Savić, Aleksandar Jevremović, Rados Gvozdić, Ivan Milić, Gojko Zubać, Nemanja Radivojević, Radak Adzić, Milos Milenković, Dorde Balović, Danijel Dukić, Danilo Virijević, Aleksandar Tanasković, Milos Kragović, Miljan Nedeljković, Nikola Ilić, Vladan Ilić, në role të ndryshme, duke filluar nga roli I bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketa hedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë, pastaj janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës, për t’i hequr kamionët dhe liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksplozivë dhe armë të rënda, me ç’rast tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi, sulm ky i cili ka vazhduar deri në orën 15:00 kur shumica dërrmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë, e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Nacionale.
Ata akuzohen për veprën penale “Kryerja e veprave terroriste”. Përveç saj, të njëjtit akuzohen edhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Në kohën, vendin dhe mënyrën si në pikën I të dispozitivit, i pandehuri Milan Radoićić në cilësinë e kreut të grupit të strukturuar, së bashku me pjesëmarrësit e grupit Blagoje Spasojević, Vladimir Tolić, Dusan Maksimović, Vladimir Radivojević, Ugljesa Jaredić, Milorad Jevtić, Vlastimir Andrić, Aleksandar Milosavljević, Lazar Smigić, Veljko Djordjević, Vladimir Vućetić, Stefan Jovanović, Milovan Krstović, Uros Milić, Trajko Vasić, Danilo Vasić, Vukasin Jaredić, Sasa Perić, Nemanja Stanković, Momćilo Vucković, Stefan Radojković, Marjan Radojević, Marko Arsić, Zarko Cvetković, Krsto Damjanović, Stefan Milosavljević, Marko Savić, Aleksandar Jevremović, Rados Gvozdić, Ivan Milić, Gojko Zubać, Nemanja Radivojević, Radak Adzić, Milos Milenković, Dorde Balović, Danijel Dukić, Danilo Virijević, Aleksandar Tanasković, Milos Kragović, Miljan Nedeljković, Nikola Ilić, Vladan Ilić, duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile”, thuhet në aktakuzë.