Ukraina po mbështetet gjithnjë e më shumë në lloje të ndryshme të dronëve në mbrojtje kundër pushtimit rus, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një fjalimi.
“Është një prioritet i dukshëm i Ukrainës dhe një mënyrë konkrete për të mbrojtur jetët e luftëtarëve tanë”, tha Zelensky për zhvillimin e taktikave luftarake me dron kundër Rusisë, transmeton Telegrafi.
Ai gjithashtu theksoi rezultatet e pjesëmarrjes së tij në konsultimet me qeverinë dhe ushtrinë në Kiev, për rezervat e dronëve që disponon dhe çfarë nevojitet prej tyre në vijën e parë të mbrojtjes.
“Do të shpejtojmë logjistikën”, tha presidenti i Ukrainës, ku po punohet intensivisht edhe për përmirësimin e efikasitetit të dronëve.
Rëndësia e dronëve të të gjitha madhësive është rritur shumë në gati 22 muajt e luftës. Ushtarët ukrainas dhe rusë përdorin dronë të vegjël me kamera për të vëzhguar çdo lëvizje të armikut në fushëbetejë. Një mjet i tillë mund të hedhë ngarkesa të vogla shpërthyese mbi tanke ose istikame.