Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se procesi i Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF) pritet të nisë funksionalizimin në dy javët e para të dhjetorit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
IVF-ja ua mundëson çifteve që nuk mund të kenë fëmijë në mënyrë natyrore, ta bëjnë nëpërmjet ndihmës mjekësore. Ky proces deri tash është kryer vetëm në spitalet private. Lëvizja Vetëvendosje u përpoq që përmes ligjit ta rregullonte këtë çështje, por mori kundërshtime nga brenda partisë, dhe si rrjedhojë nuk i kishte numrat.https://if-cdn.com/4MljSpH?card=small&consent=0&theme=light&v=1&app=1
Në një konferencë për media, Vitia të mërkurën ka thënë se IVF-ja do të nisë funksionalizimin nën Udhëzimin Administrativ të ish-ministrit Ferid Agani, deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri.
“Sa u përket IVF-së, e kemi një Udhëzim Administrativ në fuqi i bërë nga ish-ministri Agani i cili nuk e rregullon në asnjë mënyrë këtë çështje. Sepse me këtë Udhëzim Administrativ nuk mund të kesh sanksione dhe ne jemi dëshmitar se edhe në vitet paraprake ka pas aksione nga Inspektorati Shëndetësor në lidhje me këtë procedurë, ku baza ligjore e munguar ka bërë që të mos merret asnjë masë. Ky udhëzim nuk ndalon të gjitha ato që disa po thonë që ky udhëzim është i mjaftueshëm dhe i ndalon të gjitha ato që po mundohemi t’i themi ne si e drejtë e një gruas për të qenë nënë. Dhe në këtë drejtim, ne mund ta funksionalizojmë me këtë udhëzim… nuk e kam hallin te shëndetësia publike, pasi është pjesë e monitoruar mirë, por e kam hallin në sektorin privat mund të vazhdojë e njëjta siç ka vazhduar më herët. Duke mos pas bazë ligjore fatkeqësisht nuk mund të bëjmë sanksionime të cilat janë të domosdoshme dhe ky ligj i kishte rregulluar të gjitha këto. Udhëzimi i lejon edhe ato që të tjerët po thonë se si lejon, por në anën tjetër nuk na mundëson monitorim dhe sanksionim qofshin ato publike apo private, për t’i sanksionuar për shkelje që mund të ndodhin”, ka thënë ai në konferencë për media.
Vitia u shpreh se të gjitha aparaturat e nevojshme për të kryer IVF-në kanë ardhur, “dhe në dy javët e para pritet të fillojë funksionalizimin”.
Ministri i Shëndetësisë gjithashtu ka thënë se barnat që nevojiten për IVF-në janë futur në listën e barnave esenciale.
“Madje, dy seancat e para janë pa pagesë, ndërsa të tjerat janë me çmim shumë më të ulët sesa kanë qenë deri tash”, ka shtuar ai.