Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se gjendja e 12-vjeçares që ditë më parë u sulmua me thikë në Ferizaj ka nisur të stabilizohet, duke bërë me dije se do të ofrojë ndihmë financiare për mbulimin e shpenzimeve për familjen e saj.
M.B. është nga Podujeva dhe po trajtohet në Klinikën Intensive në QKUK në Prishtinë pasi pati lëndime të rënda trupore nga sulmi i një personi të dyshuar më 11 nëntor.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit në Klinikën Intensive në QKUK e kam vizituar M.B. 12 vjeçare nga Podujeva, e cila së bashku me motrën e saj L.B 15 vjeçare para dy ditësh u përballën me një rast të rëndë në Ferizaj. Të dyja këto dhe dy persona tjerë u sulmuan me thikë nga një person tjetër, por nga të gjithë M.B. e kishte gjendjen më të rëndë. Për fat të mirë, gjendja e vajzës që ndodhet në Klinikën Intezive në QKUK ka filluar të stabilizohet. Motrat M.B. dhe L.B. i përkasin komunitetit ashkali dhe janë nga Podujeva”, thuhet në njoftimin e Bulliqit.
Ai iu uroi shërim të shpejtë.
“Për këtë rast sot do të nxjerr një vendim për të ofruar ndihmë financiare për mbulimin e shpenzimeve për familjen. Iu dëshiroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve në këtë rast të rëndë! Uroj që rastet e tilla të mos përsëriten kurrë!”, thuhet në njoftim.
I dyshuari për therjen me thikë të katër personave në Ferizaj të hënën, F.I., është arrestuar të martën, ka njoftuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
Fillimisht, për rastin është arrestuar një person tjetër që doli të jetë i gabuar.
“Personi të cilin e kemi arrestuar gabimisht është liruar. E në ora 4:00 të mëngjesit është paraqitur vetë i dyshimti dhe është dorëzuar, dhe më pas ky i arrestuari i parë, është liruar, e ai tjetri është ndaluar, pra i dyshuari kryesor”, ka thënë Jashari.https://if-cdn.com/MemzvBl?card=small&consent=0&theme=light&v=1&app=1
Ai e ka konfirmuar se i dyshuari për sulmin me thikë ka qenë i dënuar për vrasjen e një gruaje më 2016.