Gjatë përurimit të një shkolle të re në Podujevë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në tentim për të demonstruar aftësitë e tij matematikore para nxënësve të shkollës fillore “Ali Hadri”, u nis me vetëbesim drejt tabelës për trajtuar një ekuacion të thjeshtë matematikor.
Megjithatë, ndonëse i diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, Kurti dështoi në zgjedhjen e ekuacionit. Ai arriti në përfundimin se X ishte 5. Përgjigja e saktë e ekuacionit ishte X = 0.
Kurti shpërfilli një rregull themelor: kur numrat ndërrojnë anë në një ekuacion, ata gjithashtu ndërrojnë shenjat. Ndonëse këtë Kurti e kishte parasysh te e panjohura, rregullin nuk e zbatoi edhe në anën tjetër.
Gabimi nuk kaloi pa u vënë re dhe tërhoqi shpejt vëmendjen në rrjetet sociale, duke shkaktuar një valë talljesh dhe komentesh.
Gabimi i Kurtit në zgjedhjen e saktë të një ekuacioni të klasës së 7 “demisifikoi mitin e madh për më të mençurin, më të dijshmin”, sipas gazetarit Valon Syla.
Ngjashëm me këtë gabim, sipas Sylës, Kurti ka bërë gabime edhe “në udhëheqje të Kosovës”.
“Edhe miti i madh për ma të mençurin, ma të dijshmin Albin Kurtin digitron(kalkulatorë) sot u demistifikua… pra gaboi ose ja huqi në një detyrë matematikore të klasës 7. Edhe sa e çka duhet me ja huq ky që me u ç’pi turma kosovare e bome mëgji nga ky degenerik politik. Sikur me këtë detyrë matematikore që ja huqi, poaashtu Kurti ja ka huq edhe në udhëheqje të Kosovës.” – shkroi ai ndër të tjera.
Krahas gabimit në zgjidhjen e një problemi matematikor, sipas gazetarit Lirim Mehmetaj, kreu i Qeverisë dështon edhe në citimet filozofike.
“O pasha besën gjithmonë e kam ditë që ky as matematikë nuk merr vesh bash kurrgjë hiç. Kjo është detyrë e klasës së gjashtë: Ekuacione lineare me një të panjohur. Kurtit i ka dal X-i 5, e në fakt X është 0. Ky citatet në filozofi i ka gabim, interpretimet letrare i ka llom krejt, shkrimin e ka të ndrydhun dhe fjalitë e mbytura e pakuptim. Gjithë e kam ditë se s’ka si me qenë i mirë në matematikë. Ky pos me recitu din. Amater hesapi”, ka shkruar ai.
Analisti Ilir Mirena bëri me dije se gabimi i Kurtit mund të jetë vërejtur nga ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci.
“Po m’doket që vetëm Arbërie Nagavci e hetoi që ia huqi detyrës, se u ndal një copë herë duke e këqyrë… Sigurisht, vetëm Arberia mund të hetojë. Jo rastësisht është Ministre e Arsimit. Ajo i di këto ekuacione në gjumë”, tha ai.
Pas gabimit, Kurti kërkoi falje publike duke pranuar se po të ishte student në klasën e tyre, nuk do të kishte marrë një notë kaluese.
“Kërkimfalje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri”. Të dashur nxënës, Ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0.” – shkroi Kurti në Facebook.