Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka folur lidhur me njoftimin e Policisë së dyshohet që katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë qëndruar disa minuta te hyrja e objektit te pala serbe, në stacionin policor kufitar në Merdar.
Sveçla ka thënë se kjo është dëshmi që Serbia nuk po i respekton marrëveshjet e arritura.
“Bëjnë shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato te partnerët tanë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshme për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjeve të cilat ajo i ka nënshkruar”, ka deklaruar Sveçla, në një deklarim pas debatit me temën “Roli i Inteligjencës Artificiale (IA) në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Sigurinë Kombëtare” të organizuar nga Qendra Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET).
Sveçla ka thënë se institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë “që qëllimet hegjemoniste të Serbisë të zmbrapsen”.