Tri partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, tashmë janë mobilizuar për të kundërshtuar doracakun për mësimdhënës për edukatën seksuale, që ishte promovuar nga ana e Arbërie Nagavcit, ministre e MASHTI-t. Në komunat që udhëhiqet nga tri partitë opozitare, e që janë shumica e komunave me shumicë shqiptare, ky doracak zor se do të zbahtohet. Si u bë bashkë opozita në kundërshtim të doracakut?
Komuna e Prishtinës, që udhëhiqet nga LDK-ja, ishte e para komunë që mori vendim për të mos zbatuar doracakun e shumë kritikuar. Jehona Lushaku, drejtoreshë e Arsimit në kryeqytet, e dha lajmin për këtë vendim.
“Është e paprecedent, se si ky pushtet po keqtrajton familjen kosovare. Është skandaloze se si Ministrja në pushtet, në krye të të vetmit institucion përgjegjës për tekstet mësimore, ka aprovuar dhe ka promovuar material me përmbajtje perverse.
Këto tekste në vend se të plasonin njohuri e diskutim bazik për edukimin seksual, kanë paraparë aktivitete në praktikë- prekje me fëmijë nën moshën adekuate. Kjo përmbajtje është jo vetëm e dëmshme, por edhe abuzuese me fëmijët” – shkroi dje Lushaku, e cila u përkrah edhe nga ana e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fjehonalushaku%2Fposts%2F10160943812722515&show_text=true&width=500
Abdixhiku shkroi se të gjitha komunat duhet ta ndalojnë zbatimin e doracakut për mësimdhënës rreth edukatës seksuale.
“Të gjitha komunat e Kosovës të marrin hapa të ngjashëm dhe të ndalojnë përdorimin e këtyre materialeve në shkollat e tyre, dhe kështu të mbrojnë fëmijët tanë nga eksperimentet e pushtetit!” – ka shkruar Abdixhiku.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fabdixhiku%2Fposts%2F10160925957352759&show_text=true&width=500
Pas Komunës së Prishtinës, reagoi edhe Komuna e Skënderajt, që drejtohet nga PDK-ja. Edhe kjo komunë e Drenicës tregoi se s’do ta zbatojë doracakun.
“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Skenderajt, ka marrë sot vendim për ndalimin e përdorimit të Doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” 1-5, 6-9, 10-12, në të gjitha shkollat e komunës.
Drejtori për Arsim, Kastriot Duraku, ka thënë se arsyeja e këtij vendimi, i cili është marrë në mirëkuptim dhe bashkëpunim me mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave, ka të bëjë me degradimin e familjes kosovare nga ana e institucioneve përgjegjëse, dhe si i tillë nuk do të përdoret në asnjë institucion arsimor në komunën e Skenderajt deri në revidimin e tij” – ka njoftuar Komuna e Skënderajt.