Informacioni me titull “Sondazhi i fundit i NDI: Rënie e madhe e Vetëvendosjes, PDK-ja e dyta” është i rremë. Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) ka thënë se të dhënat e sondazhit që jane publikuara nëpër media për renditjen e partive politike në Kosovë nuk i përkasin atyre.
Më 13.06.2024 media online “Paparaci.com” publikoi një lajm me titull “Sondazhi i fundit i NDI: Rënie e madhe e Vetëvendosjes, PDK-ja e dyta”.
Në lajm thuhej se Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), në muajin e fundit ka bërë një sondazh që tregon matjet e fundit të besueshmërisë së qytetarëve ndaj partive politike.
“Një sondazh i fundit i realizuar nga organizata amerikane Instituti Demokratik Ndërkombëtar (NDI), tregon se Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar një rënie të madhe në besueshmëri… Vetëvendosje do t’i fitonte 36 për qind të votave, bazuar në sondazhin e NDI, rezultatet e së cilit i ka siguruar Paparaci”- thuhej në këtë lajm.
Artikulli pretendonte se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të kishin ngritje të votës për 26%, përkatësisht 24%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas artikullit pretendohet se sipassondazhit të NDI-së arrinë në 10%.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kërkuar përgjigje nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), të cilët kanë thënë se informacioni i shpërndarë nuk është prodhuar nga NDI.
Lajmi në fjalë është shpërndarë edhe nga portal 3P. News.
3P.News sqaron se në artiullin e publikuar ka cituar portalin prej nga është marrë lajmi “Paparaci.com”. I njejti lajm më pas është larguar nga portali ynë pas raportimit të kallzo.com, i cili e demantonte këtë lajm.
3P.News sqaron se ka për qëllim vetëm informimin e drejtë e të paanshëm dhe se marrja e atij artikulli ishte e nxituar, e paqllimtë dhe se nuk ka provuar t’a konfirmoj duke besuar në raportimin dhe burimin e mediave simotra.