Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, pas takimit që ka pasur dje me kryenegociatorin Besnik Bislimi, ka paralajmërua se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, për masat ndaj Kosovës do të diskutohet të mërkurën në Bruksel në kuadër të Komitetit për Siguri dhe Politikë, shkruan Gazeta Express.
Lajcak ka thënë se heqja e masave ose jo do të varet nga diskutimet dhe rezultati që do të dalë pas diskutimit.
“Ky raport duhet të diskutohet në Komitetin për Siguri dhe Politikë në kudër të shteteve anëtare dhe do të varet nga diskutimet dhe rezultati I diskutimeve”, ka thënë Lajcak të martën në konferencë për media para ndërtesë së Qeverisë së Kosovës.
Sot REL duke u thirrur në burime në Bruksel ka raportuar se Borell ka rekomanduar në raportin e tij heqjen e masave për Kosovën. Duke cituar raporitn e Borell, thuhet se aty përmenden kërkesat e BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023 dhe që Borell i rekomandon Këshillit që të marrë vendim për heqjen e masave.
“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”, citon REL.
Siç raportohet, Borrell në rekomandimin e tij ka shkruar se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politikë dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara”.
BE ia kishte vendosur masat Kosovës pasi Qeveria Kurti kishte refuzuar që të dëgjonte kërkesat e aleatëve për mosdërgimin e kryetarëve të komunave Veriore në objektet komunale. Siç kishte raportuar Gazeta Express në korrik 2023, BE e kishte njoftuar Qeverinë e Kosovës për masat më 28 qershor 2023./GazetaExpress/