Shkumbin Ahmetxhekaj, ish-drejtori i i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka treguar se dorëheqja e tij ishte rezultat i drejtpërdrejtë i presionit politik të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Gjatë një interviste në Rubikon të Klan Kosovës, ai dha një kronologji të presionit të jashtëzakonshëm, duke filluar nga ftesa për takim nga Kurti e deri te kujdesi i Dejona Mihalit të VV-së për largimin e tij nga detyra në përpjekjet për ta përafruar RTK-në me narrativën e pushtetit aktual, për të cilën tha se “sundimi i saj në Kosovë nuk është një mit, por një e vërtetë”.
Në shtjellimin e arsyeve që çuan në dorëheqjen e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm, Ahmetxhekaj e nisi nga një takim me kryeministrin Kurti më 3 dhjetor 2023, me kërkesë të kreut të qeverisë. Siç ka rrëfyer ai, mesazhi i Kurtit ka qenë për një drejtim të ri në RTK nën argumentin e “nevojës për ndryshim”.
Në këmbim të kësaj kërkese, tha Ahmetxhekaj, Kurti i ka ofruar pozitë në ndonjë ambasadë.
“Kam pasur një kërkesë për një takim me kryeministrin e Kosovës në zyrë, me datën 3 dhjetor 2023. Kurti e pranonte se në RTK ka ndryshim, por mendonte se duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë, i elaboroi ndryshimet, ishte i njoftuar me reformën që e kisha prezantuar në bord dhe në një moment të caktuar Kurti tha se ka ardhur koha për ndryshim të ri në menaxhment, sepse sipas tij kishte ardhur momenti për një hov të ri të zhvillimit të RTK-së dhe në njëfarë forme më tha që ndoshta do të isha i mirë për përfaqësim të Kosovës kudoqoftë e përmendi si opsion”, tha ai.
Të nesërmen, Ahmetxhekaj ka treguar se është thirrur nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili ka përsëritur mesazhin e Kurtit.
“Diskutuam për takimin e një dite më parë se çfarë kemi kuptuar, konkretisht çfarë do të më bënte të jepja dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm, sepse është një vullnet i përgjithshëm që të ndryshohet menaxhmenti i RTK-së, të ketë drejtorë të rinj dhe që RTK-ja të përparoj tutje me këdo”, tha Ahmetxhekaj.
Ai më tej ka treguar se si Dejohna Milahi nga partia në pushtet është kujdesur që ta orkestrojë largimin e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
Ish-drejtori i RTK-së e përshkroi Mihalin si “jo një mit, por një realitet që sundon në Kosovë”, duke theksuar ndikimin e saj të madh mbi vendimet kryesore shtetërore.
“Ministri Çeku tha se nuk do të dëshironte të merrej asnjëherë me çështjen e RTK-së sepse mendon se duhet te funksiononte e pavarur. Pastaj, nga ajo çfarë kam kuptuar është se këtu pastaj kemi përfshirjen e një zonje e cila nuk është pjesë e strukturave shtetëtore por e cila çuditërisht është marrë me Shkumbinin. Asnjëherë nuk me ka kontaktu direkt, asnjherë s’më ka thirrë direkt por ajo çka kam kuptuar është se kjo zonja në fjalë, e cila nuk është një mit por një e vërtetë që në Kosovë sundon, pra vendos, thjesht ka vendos për ndryshimin që duhet bërë në RTK”, tha ai.