Presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse goditet me raketa konvencionale, dhe se Moska do ta konsiderojë çdo sulm ndaj saj të mbështetur nga një fuqi bërthamore, si një sulm të përbashkët.
Më poshtë janë disa nga faktet kryesore për arsenalin bërthamor të Rusisë:
Sa armë bërthamore ka Rusia?
Rusia, e cila trashëgoi armët bërthamore të Bashkimit Sovjetik, ka rezervën më të madhe në botë të kokave bërthamore.
Putini kontrollon rreth 5,580 koka bërthamore, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë (FAS).
Nga këto, rreth 1,200 janë kryesisht të paprekura dhe rreth 4,380 janë grumbulluar për forcat operacionale, sipas FAS.
Nga kokat e grumbulluara, 1,710 koka strategjike janë vendosur: rreth 870 në raketa balistike me bazë tokësore, rreth 640 në raketa balistike të lëshuara nga nëndetëse dhe ndoshta 200 në baza bombarduese të rënda, po ashtu sipas FAS.
Këto shifra do të thonë se Rusia mund të shkatërrojë botën shumë herë. Po kështu edhe Shtetet e Bashkuara, duke pasur parasysh rezervat e veta.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik kishte rreth 40,000 koka bërthamore, ndërsa SHBA-ja rreth 30,000.
Në çfarë rrethanash do të përdoren?
Doktrina bërthamore e publikuar e Rusisë në vitin 2020 përcakton kushtet në të cilat një president rus do të konsideronte përdorimin e një arme bërthamore: si përgjigje ndaj një sulmi që përdor armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë, ose ndaj përdorimit të armëve konvencionale kundër Rusisë “kur vetë ekzistenca e shtetit vihet në rrezik”.
Putini ka dhënë detaje të ndryshimeve për doktrinën bërthamore, më 26 shtator.
Risitë e përshkruara nga Putini përfshijnë një zgjerim të kërcënimeve nën të cilat Rusia do të konsideronte një sulm bërthamor, përfshirjen e aleatit Bjellorusi nën ombrellën bërthamore, dhe idenë që një fuqi bërthamore rivale që mbështet një sulm konvencional ndaj Rusisë do të konsiderohej gjithashtu si sulmuese.
Doktrina e re ende nuk është publikuar dhe nuk dihet nëse do të publikohet.
A do të kryejë Rusia test bërthamor?
Putini ka thënë se Rusia do të konsideronte testimin e një arme bërthamore nëse këtë do ta bënin Shtetet e Bashkuara.
Rusia post-sovjetike nuk ka kryer ndonjë provë bërthamore.
Që nga shembja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, vetëm disa vende kanë testuar armë bërthamore, sipas Shoqatës së Kontrollit të Armëve: Shtetet e Bashkuara testuan për herë të fundit në vitin 1992,
Kina dhe Franca në vitin 1996, India dhe Pakistani në 1998 dhe Koreja e Veriut në 2017. Bashkimi Sovjetik testoi për herë të fundit në vitin 1990.
Kush do ta jepte urdhrin për lëshimin e një arme bërthamore?
Presidenti rus, Vladimir Putin, është vendimmarrësi përfundimtar për përdorimin e armëve bërthamore ruse.
E ashtuquajtura çantë bërthamore, ose “Cheget” (e quajtur sipas malit Cheget në malet e Kaukazit), është me presidentin gjatë gjithë kohës. Të tilla valixhe mendohet se kanë edhe ministri rus i
Mbrojtjes, aktualisht Andrei Belousov, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, aktualisht Valery Gerasimov.
Në thelb, çanta është një mjet komunikimi që lidh presidentin me forcat e tij ushtarake dhe prej andej me forcat e raketave nëpërmjet rrjetit elektronik të komandës dhe kontrollit.
Pamjet e shfaqura nga televizioni rus Zvezda në vitin 2019, treguan atë që thoshte se ishte një çantë me një sërë butonash. Në një seksion të quajtur “komandë” ka dy butona: një buton i bardhë për “nisje” dhe një buton i kuq për “anulim”.
Nëse Rusia do të konsideronte se do të përballej me një sulm strategjik bërthamor, presidenti, nëpërmjet çantës, do t’i dërgonte një urdhër të drejtpërdrejtë nisjeje komandës së shtabit të përgjithshëm dhe njësive komanduese rezervë që mbajnë kode bërthamore. Urdhra të tilla kalojnë me shpejtësi në sisteme të ndryshme të komunikimit në njësitë e forcave strategjike të raketave, të cilat më pas do të qëllonin në Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.