Deputetët e Partisë Socialiste, partisë në pushtet në Shqipëri, të enjten nuk e kanë votuar amendamentin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që parashihte ndihmë financiare prej 50 milionë eurosh për Kosovën.
Seanca e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me tensione, të cilat janë duke vazhduar tash e disa muaj.
Deputetët nga radhët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit dhe përdorën zhurmues për të ndaluar mbarëvajtjen e një seance normale.
Kryetarja e Kuvendit kaloi direkt në votimin e projektligjeve të planifikuara në rendin e ditës të punimeve të Kuvendit – në të cilin u rrëzua amendamenti për Kosovën, propozuar nga Basha.
Teksa parlamenti po votonte projektligjet, deputeti i PD-së, Edi Paloka dogji rregulloren e Kuvendit.