Zyrtarët amerikanë kanë identifikuar të përfshirët në një thirrje robotike të gjeneruara nga inteligjenca artificiale (IA), ku presidenti Joe Biden, në mënyrë të rreme, u thotë njerëzve të mos votojnë në primare e New Hampshire – shenjë që tregon se sa “i ndytë” do të jetë viti zgjedhor në SHBA.
Zgjedhjet në SHBA do të mbahen në nëntor.
“Washington Post” raporton se prokurori i përgjithshëm i New Hampshire ka hapur hetim penal për të dyshuarin, që është një kompani me bazë në Texas. E përfshirë është edhe një kompani e quajtur “Lingo Telecom”, e cila ka pasur veprimtari të paligjshme edhe në të kaluarën.
Mbajtur më 23 janar, primaret e New Hampshire nuk patën emrin e Bidenit në fletëvotim, sepse Komiteti Kombëtar Demokratik njeh zgjedhjet e Karolinës së Jugut, të cilat u zhvilluan javën e kaluar, si zgjedhjet e para “zyrtare” të primareve presidenciale nga ana e demokratëve. Për të zgjidhur konfuzionin, mbështetësit e Bidenit nisën një fushatë me shkrim duke u kërkuar njerëzve që të shënojnë emrin e tij në fletëvotime.
Menjëherë pas incidentit, Komisioni Federal u përkujdes për t’i bërë të paligjshme thirrjet robotike të IA-së dhe Departamenti i Drejtësisë po punon për hetimin penal, që do të shqyrtojë “shkeljet e mundshme të ligjit zgjedhor, shkeljet e akteve për mbrojtjen e konsumatorit dhe shkeljet e akteve telefonike për mbrojtjen e konsumatorëve”.
Incidenti ka tronditur edhe ekspertët e zgjedhjeve, të cilët janë paralajmëruar për ndërhyrje.