Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy persona të martën për tentim vrasjen e një gruaje në Fushë-Kosovë.
Policia ka thënë se është arrestuar një person që dyshohet se ka shtënë me armë, e që u tha nga Prokuroria se është bashkëshorti i viktimës dhe një tjetër që dyshohet se e ka marrë armën e cila është përdorur, duke tentuar ta largonte nga vendi i ngjarjes.
Të dy janë dërguar në mbajtje. Policia ka thënë se gruaja është duke u trajtuar në QKUK dhe është jashtë rrezikut për jetën.
“Fushë Kosovë / 06.08.2024 – 07:33. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë njëri nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës kosovare, ndërsa i dyshuar tjetër pas dyshimeve se ka marrë armën e cila është përdorur, për ta larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë. Pistoleta me tre fishekë dhe tri gëzhoja janë sekuestruar. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia.
I dyshuari I.A. më datën 2 gusht ishte raportuar nga bashkëshortja për “dhunë në familje”. Atij iu caktua masa për të mos iu afruar bashkëshortes.