Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër aktin kriminal të hedhjes së një granate dore në ndërtesën komunale në Zveçan, që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe shkatërroi disa automjete. Ky sulm i ulët është një përpjekje e qartë për të frikësuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, dhe ekipin e tij, të cilët po punojnë pa u ndalur për të mirën e të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë. Ato kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, minojnë proceset demokratike dhe synojnë destabilizimin e institucioneve tona. Kryetari Ilir Peci përfaqëson angazhimin tonë për një Kosovë më të bashkuar dhe më të mirë, ku të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë. Këto përpjekje duhet të mbështeten, e jo të sabotohen.