Mbi 1300 euro është vlera e dhuratave që ka pranuar Kryeministri Albin Kurti gjatë vitit të kaluar, sipas vlerësimeve që ka bërë Zyra e Kryeministrit. Për dhuratat që i janë bërë viteve të tjera s’është treguar vlera. Gazeta Express ka siguruar listën e dhuratave që ka pranuar Kurti që prej ardhjes në pushtet përmes qasjes në dokumente publike, ku tregohet lloji i dhuratës, rasti me të cilin është bërë, personi që ia ka dhuruar dhe vlera e tyre.
Gazeta Express
Orë dore, kravata, mansheta për këmisha, libra, stilolapsa, piktura, pjata dekoruese e shishe me verë janë vetëm disa prej dhuratave që i janë bërë kryeministrit Albin Kurti nga dita kur është ulur në Zyrën e Kryeministrit.
Në mesin e atyre që i kanë bërë këto dhurata ka presidentë, kryeministra, kryediplomatë e komandantë, por edhe qytetarë të thjeshtë.
Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, Gazeta Express ka siguruar listën e këtyre dhuratave, ku tregohet lloji i dhuratës, rasti me të cilin është bërë, nga kush dhe për dhuratat e vitit 2023, edhe vlera e tyre.
Dhuratat e vitit 2021: Osmani i dhuroi ajvar për festat e fundvitit
Menjëherë pasi e kishte marrë detyrën e Kryeministrit, Kurti kishte pasur vizita nga zyrtarë të rëndësishëm në zyre. Asnjëri nuk i kishte shkuar duarthatë.
Ish-Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani i kishte dhuruar Kurtit mansheta për këmishë. Dhuratë të njëjtë i kishte bërë edhe Komandanti i KFOR’it.
Nga Kryediplomati i Greqisë, Nikolas Dendias, Kurti ka pranuar si dhuratë një monedhë greke prej ari, derisa Gjenerali Jorg Ruter i kishte dhuruar më 2021 Kurti një plaket dekoruese të NATO’s.
Gjenerali Larry Henry i kishte dhuruar Kurtit flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ish-Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla, i kishte dhuruar një pjatë dekoruese.
Tek dhuratat që i ishin bërë Kurtit me rastin e festave të fundvitit më 2021, figuron edhe ajo e Presidentes Vjosa Osmani. Ajo i kishte dhuruar Kurtit ajvar të Krushës dhe një çokolladë. Ndërkohë, Ambasada e ShBA’së për këtë rast i kishte dhuruar shampanjë, whisky, manshetë dekorim, 2 gota për verë dhe çokollatë.
Kurti ka marrë dhurata edhe në vizitat jashtë vendit dhe gjatë pjesëmarrjes nëpër samite.
Në vizitën në Belgjikë më 2021, Kryeministri i këtij shteti i kishte bërë Kurtit dhuratë një çantë për tablet.
Aty figuron edhe dhurata që i kishte bërë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e Tiranës.
“Dekor dhe ushqim”, është përshkrimi i kësaj dhurate.
Dhuratë kishte marrë edhe me rastin e pjesëmarrjes në “Europian Union and Western Ballkan Summit”. Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, i kishte dhuruar 6 verëra të ndryshme.
Ndërkohë, për pjesëmarrjen në Samitin e Prespës, i ishte dhuruar një kravatë dhe verë.https://drive.google.com/file/d/1tC8nxx6jAVh7B2UFBToyMlv1dhH-yd7I/preview
Dhuratat e vitit 2022: Skulptura e Skënderbeut, kravatë “Hermes” e top futbolli
Vizitat në zyrën e Kurtit kishin vazhduar edhe më 2022, e poashtu edhe dhuratat.
Oleksiy Goncharenko, deputet i Ukrainës i kishte dhuruar Kurtit postkarta të Ukrainës. Dhuratë kishte pranuar edhe nga Ursula von der Leyen, një pjatë dekoruese nga lëkura. Wolfang Ischinger i kishte bërë dhuratë një libër, e Alice Albright nga MCC një pjatë dekoruese “Salisbury”.
Gjenerali i KFOR’it, Ferenc Kajari, i kishte dhuruar një plaket mirënjohje, ndërsa Kryetari i FIFA’s, Gianni Infantino, ia kishte dhuruar një dres të FIFA dhe një top futbolli.
Ish-presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, me rastin e vizitës në ZKM, i kishte dërguar Kurtit një çokolatë. Nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Kurti kishte pranuar si dhuratë në vitin 2022 një skulpturë të Gjergj Kastriot Skëndebeut.
Deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers Stephen Doughty, Alex Sobel dhe Luke Pollard i kanë dhuruar një pjatë dekoruese.
Kurtit i kishte shkuar me dhuratë në zyre edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Ajo i kishte dërguar një kravatë “Hermes”.
Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrech, i kishte dhuruar pikturë. Senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, një pjatë të argjendë “Salisbury”.
Tek dhuratat e vitit 2022, figuron edhe ajo që i kishte bërë Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje për ditëlindje. Ata i kishin dhuruar kryeministrit një stilolaps “Lamy”.https://drive.google.com/file/d/1IYeE1Dw-2pVjYnipAGLG2nyLzcoQDpqR/preview
Dhuratat e vitit 2023: Orë dore, libra nga Kadareja e rrip të zi të xhudos
Kryeministri Albin Kurti ka pranuar një numër të madh dhuratash edhe gjatë vitit të kaluar, të cilat kryesisht i janë bërë gjatë takimeve në zyrën e tij. Shumica janë libra.
Tek dhuratat për vitin 2023, specifikohet edhe vlera e tyre në euro, sipas vlerësimeve të Zyrës së Kryeministrit.
Në krye të listës së dhuratave për këtë vit figuron edhe ajo që ia kishte bërë Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.
Me rastin e vizitës së tij në ZKM, Tërnava i kishte dërguar Kurtit hurme, që vlerësohet të kenë kushtuar 5 euro.
Në një takim tjetër që kishte pasur në zyrën e tij, Kurtit i ishte dhuruar një kravatë “Tommy Hilfiger”, me vlerë 15 euro. Këtë dhuratë ia kishte bërë deputetja Jeta Statovci.
Vitin e kaluar, Kurti e kishte pritur në zyrë edhe Drejtorin e Kompanisë “Bayraktar”, Haluk Bayraktar, prej të cilës vendi kishte blerë dronët. As ai s’i kishte shkuar duarthatë.
Bayraktar i kishte dërguar Kurtit një stilolaps, çantë, fletore, gotë dhe termos, që sipas vlerësimeve kushtojnë 25 euro.
Dhuratë i kishte bërë edhe Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yasar Guler, i cili i kishte dërguar një vazo nga argjendi dhe një pjatë dekoruese.
Për vizitë i kishte shkuar edhe Besnik Sahatçiu, babai i këngëtares kosovare me famë ndërkombëtare, Rita Orës. Libri dhe CD e Rita Orës që ia kishte dhuruar, janë vlerësuar se kushtojnë 7 euro.
Tek lista e dhuratave për këtë vit, figuron edhe ajo që i ka bërë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë.
Kravata dhe pjata dekoruese që ai i ka dhuruar, janë vlerësuar 20 euro.https://drive.google.com/file/d/1SCDLGzAX0ZaKwg3RKG0LwhjfbZ8U059b/preview
Nga senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, Kurti ka pranuar një pjatë dekoruese “Salisbury”.
Dhuratë i ka bërë edhe Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, i cili ia ka dërguar një libër.
Në vitin 2023, Kurti kishte qenë për vizitë në Bern të Zvicrës. Në takimin me Presidentin e Zvicrës, ai kishte marrë dhuratë një orë dore “Mondaine”.
Nga xhudistja Majlinda Kelmendi, Kurti ka pranuar si dhuratë rrip të zi të rs.
Në takimin e fundit që ka pasur me shkrimitarin Ismail Kadare, i cili vdiq sivjet, Kurti kishte pranuar shtatë libra. Vlera e tyre është llogaritur 25 euro.
Dhuratë ka pranuar edhe nga Ministri i Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Rt Hon James Heappey. Ai i kishte bërë dhuratë nga “Fortnum&Mason”.
Nga Unioni i bizneseve gjermano kosovare, Kurti ka pranuar si dhuratë një orë dore “Maurice Lacroix”. Vlera e saj s’është treguar.
Ish-Komandanti i KFOR’it, Angelo Ristuccia, i kishte dhuruar një pikturë hartë të Italisë dhe një verë “Primitivo Salento”.https://drive.google.com/file/d/1V-zX28L6Ubtm5g7-dqpWeotKQzNLtv30/preview
Nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut, Katarina Agjançiq, në takimin në ZKM, i kishte dërguar Kurtit një fletore dhe shkrebëz.
Dhuratë i ka bërë edhe zëvendëskryeministrja Emilia Redzepi, pesë libra.
Kurti ka pranuar dhuratë fanellën e futbollistes Kosovare Asllani, nga vetë ajo në takimin në Kryeministri. Vlera e fanellës është llogaritur 20 euro.https://drive.google.com/file/d/1uLIIzbwMz6Cipo_2Kxsou2W7XekbHTwf/preview