Ndihmës Sekretari i Shtetit i ShBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, theksoi në emisionin “Politiko”, rëndësinë që Kosova dhe Serbia të përmbushin zotimet e tyre sipas marrëveshjeve të Brukselit dhe aneksit të saj. Ai shtoi se ShBA dëshiron nga Kosova “më shumë koordinim kur ndërmerren veprime, veçanërisht kur ato veprime mund të përfshijnë trupat e NATO-s në KFOR apo në veri.”
Ai paralajmëroi kundër humbjes së mundësive për të dyja vendet, me zbatimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të Ohrit “si mënyrën për të ecur përpara.”
“Dëshiroj që ato të zbatojnë plotësisht zbatimet e marra me marrëveshje. Jemi në një çast interesant, kur kryeministri Kurti, mendoj se e kupton se ka mundësi për të thënë, kjo është se si duam që Kosova të duket dhe që të formësojë mënyrën se si reagon bashkësia ndërkombëtare”, tha O’Brien.
Ndihmës Sekretari theksoi rëndësinë për “shfrytëzimin e mundësisisë”, pasi, shtoi ai, “nuk do ta keni atë për një kohë të gjatë.”
“Duam që të dy vendet dhe të gjitha vendet e rajonit të ecin sa më shpejt që është e mundur. Duam që kufinjtë të rrijnë të hapur që shoqëritë të punojnë bashkërisht në eksportimin e të mirave, mallrave dhe që njerëzit të punojnë dhe jetojnë në një vend tjetër. Duam që vendi ta shfrytëzojë këtë mundësi sepse nganjëherë e keni një mundësi dhe nëse nuk do ta shfrytëzoni, nuk do ta keni atë për një kohë të gjatë”, tha O’Brien.
Duke komentuar marrëdhëniet aktuale mes ShBA-së dhe Kosovës, ai pranoi mosmarrëveshjet e herëpashershme me qeverinë, ndërsa theksoi rëndësinë e dialogut dhe koordinimit më të ngushtë me ShBA-në para se Kosova të ndërmarrë veprime të caktuara.
“Herë pas here kemi mospajtime, por kjo ndodh mes miqve. Duam që të kemi më shumë koordinim kur ndërmerren veprime, veçanërisht kur ato veprime mund të përfshijnë trupat e NATO-s në KFOR apo në veri. Gjithashtu dëshirojmë që të kemi më shumë diskutime para se të ndërmerret një veprim i tillë”, tha Ndihmës Sekretari i Shtetit i ShBA-së.
Lidhur me takimin e zhvilluar me kryeministrin Kurti, O’Brien tha se fokusi i diskutimeve ishte përparimi më i shpejtë drejt Evropës.
“Biseduam se si të ecet më shpejt drejt Evropës. E dijmë se po arrihet përparim në integrimin e qytetarëve në veri, veçanërisht komunitetit serb, prandaj diskutuam për qasje të ndryshme, të cilat mund të ndërmerren”, tha Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.