Rreth orës 00:50 mbrëmë në Loznicë të Serbisë, në kufi me Bosnjë e Hercegovinën, gjatë një kontrolle të veturave nga policia serbe është vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur rëndë, sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Si të dyshuar për vrasjen policia serbe po e kërkon Artan Hajrizin, të cilit tha se ia gjeti një pasaportë të lëshuar nga Kosova dhe një letërnjoftim të lëshuar nga Gjermania. Siç mësohet Artan Hajrizi është vëllai i të arratisurit nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, i cili iku nga burgu më 6 korrik. Policia e Kosovës është në kërkim të tij që nga ajo ditë, ndërsa ai u shfaq në disa video në rrjetin social, TikTok.
Gazeta Express
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, mbrëmë doli me një njoftim se si ka ndodhur ngjarja.
“Sonte, rreth orës 12:55 në Loznicë, gjatë kontrollit të automjeteve në pikën e kontrollit në Lipniçki Shor, policët e stacionit kufitar të Trbushnicës ndaluan një Mercedes me targa të Tutin [qytet në rajonin e Rashkës në Serbi], në të cilin ndodheshin dy persona”, ka thënë ai.
Ndërkaq, policia serbe tha se i dyshuari ka ikur pasi kishte shtënë.
“Kur ka dalë nga vetura, një person ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur policin Nikolla Kërsmanoviq (34) në gjoks dhe polici Vjekoslav Iliq (50) në shpatull, pas së cilës ka ikur”.
Policia e Serbisë sot është mobilizuar në kërkim të Artan Hajrizit, 33-vjeçar, me helikopterë e dronë, sipas mediave serbe.
Mediumi serb Nova doli me raportime të reja me burime se si ndodhi ngjarja. Ajo shkroi se policët serbë kishin ndaluar një taksi me targa të qytetit të Tutinit që u dukej e dyshimtë, ku ndodheshin dy burra, shoferi dhe pasagjeri.
Sipas raportimeve të këtij mediumi, policia ka identifikuar pasagjerët të cilët u janë dukur të dyshimtë dhe pastaj njëri prej policëve i ka kërkuar njërit prej personave në veturë që t’ia tregojë çantën. I njëjti raportohet se ka refuzuar ta bëjë këtë dhe se ka qëlluar në drejtim të policëve.
Mediat në Serbi gjithashtu kanë shkruar se Artan Hajrizi është vëllai i të arratisurit Faton Hajziri, i cili ende nuk është kapur nga Policia e Kosovës.
Ndërkaq, mediumi proqeveritar serb “Kurir” tha se Artan Hajrizi ishte duke ikur drejt shteteve të BE-së nëpër rrugën e migrantëve. Megjithatë, sipas policisë serbe ai kishte edhe letërnjoftim gjerman.
Në Kosovë për këtë rast ka reaguar Ministria e Punëeve të Jashtme, ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se është informuar me mëngjes për rastin dhe bëri thirrje që të përcillen me vëmendje komunikatat e lëshuara nga institucionet e Kosovës.
MPJD tha se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje “me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb.