Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Idriz Alisë që plagosi bashkëshorten më 6 gusht (dje) në Fushë-Kosovë.
Alija akuzohet për tri vepra penale “vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose poseedim të paautorizuar të armëve” dhe “Mospërfillja e gjykatës”.
Gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate dhe e domosdoshme, “sepse nëse i pandehuri gjendet në liri, i njëjti mund të ikë dhe të arratiset, kjo për faktin se për këtë vepër penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshinë dënim me burgim afatgjatë, ekziston edhe rreziku i ndikimit në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë për ndryshimin e provave, si dhe përsëritja e veprave penale, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale”.
Dy ditë para se ta plagoste bashkëshorten, i pandehuri ishte denoncuar për dhunë në familje. Atij ishte shqiptuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.