Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut të enjten është mbledhur për bashkëbisedim me qytetarët për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Në sallë është numër relativisht i vogël i njerëzve që po marrin pjesë.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, në fjalën hapëse ka thënë se ka të bëjë me një komunë “politikisht komplekse”, por thotë se ka mësuar shumë nga takimet e shpeshta me qytetarët.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në aspektin e sigurisë nuk ka arsye që ura të jetë e mbyllur.
Jeta Tela, këshilltare e lartë në Ministrin e Brendshme, ka thënë se MPB-ja ka qenë e përkushtuar ta luftojë krimin në komunat veriore, “por edhe ta rrisë bashkëpunimin polici – komunitet”.
Përveç hapjes së urës, në këtë bashkëbisedim është thënë se do të trajtohen edhe tema të tjera.
Në takim është parë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi e deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba. Gjithashtu të pranishëm janë edhe forcat e KFOR-it dhe EULEX-it.
Kryeministri Albin Kurti ftoi dje serbët të marrin pjesë në këtë bashkëbisedim.
“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit. Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, pati shkruar Kurti në Facebook.
Të mërkurën (dje), serbët protestuan në anën veriore të Ibrit, duke u shprehur kundër hapjes së urës.
Qeveria e Kosovës po këmbëngul për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të veturave. Një vendim i tillë nuk po pranohet nga ndërkombëtarët, që kanë paralajmëruar se Kosova mund të humbë mundësi të mira me “vendime të njëanshme”.