Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se me aksion të përbashkët të kësaj ministrie me Policinë, Ministrinë e Industrisë dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal janë mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook. “Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”.
“Nga sot kapitulli i institucioneve paralele ilegale, kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës mbyllen. Në Banjë e të gjithandej në pjesët tjera të Republikës së Kosovës, objektet komunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”, ka thënë Sveçla në videon e publikuar në Facebook.
Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovës dhe 5 qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.
“Këto institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=318&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2F100063788556625%2Fvideos%2F620856977008807%2F&show_text=true&width=560&t=0
Udhëheqësi i postës paralele në Graçanicë, Ivan Milojeviq, ka thënë se “ky është presion i Kurtit në kohë zgjedhjesh”.
“Ai e di se për këtë çështje kemi folur në Bruksel”, ka thënë ai, duke shtuar se “këta janë filma të njëjtë si në veri, si në jug”.
Aksion i policisë në dhjetëra lokacione për mbylljen e strukturave paralele
Policia e Kosovës ka nisur një aksion në dhjetëra lokacione për mbylljen e strukturave paralele serbe të mërkurën në mëngjes, ka mësuar KOHA.
Aksioni po zhvillohet në disa rajone.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për çfarë po zhvillohet aksioni, por se ka thënë që pasi të përfundojë do të jepen informacionet.
“Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa rajone të Kosovës, si DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu”, ka njoftuar Policia.
Në disa raste vitin e shkuar Policia e Kosovës ka mbyllur organe të strukturave paralele të Serbisë. Janë mbyllur organe të përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt dhe ato në komunat në veri. Ndërkohë janë mbyllur edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës e drejtori të tjera.
Të gjitha këto institucione funksiononin me sistem të Serbisë./koha/