Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka reaguar lidhur me Ligji për Këshillin e Sigurisë, të cilin presidentja e Kosovës ia ka kthyer sërish Kuvendit.
Deputetja e PDK-së ka bërë me dije se nuk do të lejohet që të shkatërrohet shteti nga ata që nuk kanë bërë asgjë për ndërtimin e Republikës së Kosovës.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se ligji në fjalë rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Nuk do të lejojmë që të shkatërrojnë SHTETIN ata që nuk bënë asgjë për ndërtimin e SHTETIT! Me arsyen se Ligji për Këshillin e Sigurisë rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, ne e patëm kundërshtuar me kohë në Kuvend këtë projektligj por e injoruan kundërshtimin tonë të arsyeshëm FANSAT e Albin Kurtit që më paaftësinë e tyre votojnë pa menduar çdo gjë që ju servon Albini dhe rrezikojnë sigurinë e vendit dhe shkatërrimin e trashëgimisë institucionale. Tani edhe Presidentja e ktheu në rishqyrtim këtë ligj.”, ka shkruar Musliu.