Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, njoftoi të martën se do ta emëroj John Ratcliffe-n si drejtor të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në administratën e tij të re. Agjencia “Associated Press” përmend katër gjëra për t’u ditur rreth kësaj figure.
Para se të paraqiten katër pikat e shtjelluara nga agjencia e njohur amerikane e lajmeve, vlen të theksohet se Ratcliffe ka pasur kontakte me komunitetin shqiptar në ShBA. Ai ka marrë pjesë në organizime dhe takime të ndryshme me figura shqiptare. Në një fotografi, ai shihet me ish-deputeten e Kosovës, Teuta Sahatqija, ndërsa në një tjetër fotografi duke e bërë simbolin e shqiponjës me duar.
Stazhi i dytë
Ratcliffe ka shërbyer si drejtor i Inteligjencës Kombëtare në muajt e fundit të mandatit të parë të Trumpit, duke i udhëhequr agjencitë amerikane të spiunazhit gjatë pandemisë së koronavirusit dhe kur qeveria amerikane luftonte kundër përpjekjeve për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Përvoja e tij në të kaluarën në fushën e inteligjencës e bën përzgjedhje më tradicionale për pozitën e re, për të cilën nevojitet konfirmimi nga Senati, në krahasim me figurat besnike për të cilat kishte thashetheme dhe që janë shtyrë nga disa prej përkrahësve të Trumpit.
Ai është ballafaquar me kritika për deklasifikimin e të dhënave të inteligjencës në lidhje me Rusinë, gjoja duke i dëmtuar informatat për demokratët nga zgjedhjet e vitti 2016, edhe pse kishte pranuar se ato nuk ishin të vërtetuara. Demorkatët e kishin qortuar këtë lëvizje, duke e cilësuar si marifet partiak që e kishte politizuar fushën e inteligjencës.
Besnik i rreptë në Kongres
Ratcliffe ishte zgjedhur në Kongres më 2014, por u bë më i dukshëm në vitin 2019 si mbrojtës i zjarrtë i Trumpit gjatë procedurave të para të hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve kundër tij.
Ai ishte anëtar i ekipit këshilldhënës të Trumpit kundër hetimit dhe në mënyrë të fuqishme u kishte shtruar pyetje dëshmitarëve gjatë seancave dëgjimore të hetimit.
“Ky është hetimi më i hollë, më i shpejtë dhe më i dobët që vendi ynë ka parë ndonjëherë” – kishte thënë Ratcliffe, pasi Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, kishte votuar për ta hetuar Trumpin për një telefonatë që e kishte zhvilluar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Kur ish-hetuesi i posaçëm, Robert Mueller, kishte dalë para Komitetit për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve për të dëshmuar rreth hetimit të tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në ShBA, Ratcliffe ishte njëri nga pyetësit më të flaktë republikanë, duke e pyetur ashpër prokurorin dhe duke e goditur raportin që e kishte nxjerrë ai.
Pyetjet e së kaluarës për karrierën e tij
Edhe pse Ratcliffe në fund ishte emëruar drejtor i Inteligjencës Kombëtare, procedura nuk ishte zhvilluar pa pengesa.
Në të vërtetë, ai ishte tërhequr nga shqyrtimi në gusht të vitit 2019 pas vetëm pesë ditëve, pasi ishte ballafaquar me pyetje për përvojën dhe kualifikimet e tij.
Trumpi e kishte propozuar Ratcliffe-n për ta zëvendësuar të larguarin Dan Coats, por demokratët haptazi e kishin cilësuar atë si figurë partiake jo e kualifikuar, ndërsa republikanët kishin shprehur vetëm përkrahje të vakët. Në shumë artikuj mediash shtroheshin pyetje për kualifikimet e tij dhe sugjerohej se Ratcliffe e kishte keqprezantuar përvojën si prokuror federal në Teksas, pozitë që e kishte mbajtur para se të bëhej pjesë e Kongresit.
Kundërshtar i Kinës
Ratcliffe në mënyrë të përsëritur e ka ngritur alarmin për Kinën, duke e cilësuar këtë shtet si kërcënimi kryesor ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës së lirë.
Kjo pikëpamje e vë atë në shoqëri të mirë me zyrtarë të tjerë të administratës në ardhje të Trumpit, përfshirë Michael Waltz-in, i përzgjedhur i Trumpit për këshilltar të Sigurisë Kombëtare.
“Inteligjenca është e qartë: Pekini synon që të mbizotërojë mbi ShBA-në dhe pjesën tjetër të planetit në aspektin ekonomik, ushtarak dhe teknologjik” – kishte shkruar Ratcliffe në një opinion të publikuar në dhjetor të vitit 2020 në gazetën “The Wall Street Journal”.
Kina është duke u përgatitur për tensione të përtërira me administratën e Trumpit – dhe me gjasë edhe për një luftë me taksa – ndërsa zyrtarë të sigurisë kombëtare dhe inteligjencës, që e përcjellin Kinën, mbeten të shqetësuar për spiunazhin ekonomik, sulmet kibernetike, avancimet teknologjike dhe mosmarrëveshjet për Tajvanin, që mund t’i përkeqësojnë edhe më tutje marrëdhëniet./Nacionale