Kryeministri Albin Kurti ka thënë se të mërkurën në Bruksel do të shkojë për të parë se në çfarë gjendje ndodhet Kosova në kuadër të dialogut.
Pas konferencës ndërkombëtare të rinisë për Vetëvendosje “Western Balkans Six – Youth for Social Democracy”, Kurti tha se marrëveshja bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me pjesën integrale e aneksin e zbatimit të 18 marsit, e bën normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen de-facto, së paku në qendër.
“Nesër në mëngjes do të udhëtoj për në Bruksel, e kam konfirmuar pjesëmarrjen time. S’ka pasur takim të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit të kaluar e në këtë qershor u bënë 3 vjet i takimeve të nivelit të lartë në dialog…Besoj që pos tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilaterial do të jetë në funksion të rikapitullimit të këtij procesi e të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë që mund të ecet para”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar para gazetarëve se Serbia vazhdimisht ka refuzuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura, që sipas Kurtit, nëpërmjet këtyre marrëveshjeve synohej normalizimi i raporteve dhe “së paku njohja de-facto në qendër”.
Për Kurtin, kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë.
“Kemi shkelje sistematike të Marrëveshjes nga Serbia, e kjo ka kulmuar me letrën e Bërnabiq, më 13 dhjetor, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike, e prej atyre na vijnë problemet. Nga mosrespektimi e shkelje na vijnë problemet në raport me Serbinë”, ka shtuar ai.
Kreu i ekzekutivit ka theksuar se më 24 qershor janë bërë nëntë muaj qëkur është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke shtuar se janë bërë nëntë muaj kur “kryekrimineli Milan Radoiçiq ndodhet në liri”.
“Nesër bëhet një vit qëkur ishin liruar policët që u patën rrëmbyer në afërsi të kufirit me Serbinë, por gjithsesi në territorin e Kosovës e u patën mbajtur peng për 12 ditë. Kemi pasur tensione vazhdimisht e eskalim, e që të gjitha e kanë adresën, sepse përgjegjësinë e fajësinë e ka Beogradi zyrtar”, ka shtuar ai.
“Nga ana e Kosovës gjithçka është kryer, e prandaj e kemi sugjerimin e Borrellit që unë shpresoj e uroj që vendet anëtare, që e kanë shef të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, ta dëgjojnë dhe ta respektojnë me sinqeritetin më të lartë”, ka shtuar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të mërkurën në Bruksel. Bashkimi Evropian ka njoftuar se palët fillimisht do të takohen me përfaqësuesit evropianë, e pastaj bashkërisht.