Bashkimi Evropian edhe një herë e ka arsyetuar mosndërmarrjen e masave ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë me 24 shtator, me faktin se nga autoritetet kosovare ende nuk kanë marrë një raport për rezultatin e hetimeve të atyre sulmeve.
Këtë e ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri duke u përgjigjur në pyetjet se pse ka masa ndaj Kosovës nga ana e BE-së, e jo edhe ndaj Serbisë, madje as pas sulmeve në Banjskë.
Stano ka thënë se BE-ja është në pritje të rezultateve të hetimeve për këtë incident, për të parë se çfarë qëndrimi të marrë. Dhe raportin për hetime, sipas tij, duhet ta bëjnë autoritetet relevante të Kosovës pasi ngjarja ka ndodhur në territorin e Kosovës.
“Menjëherë pas sulmit, në ditët, javët dhe muajt që pasuan, ne e bëmë të qartë qëndrimin tonë se çka presim si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia kur është fjala edhe për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e mundshme për këtë sulm të tmerrshëm. Nuk po flas këtu për Serbinë si shtet, por për palën serbe. E gjithë kjo do të duhej të jetë pjesë e hetimit gjetjet e së cilit shpresojmë se do të përfshihen në raportin përfundimtar të hetimit, i cili ende nuk ka përfunduar, ose të paktën nuk është ndarë me ne deri në këtë faze” ka thënë Stano.