Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar po qëndron për vizitë në Kosovë.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai në një konferencë për media është pyetur nga gazetarët rreth masave kufizuese të vendosura nda Kosovës.
“Besojmë që masat ndaj Kosova që janë vendosur duhet të hiqen. Ky është një pozicion që ia kam treguar edhe kryeministrit. Është me rëndësi që komunat t’i zgjedhin kryetarët, që ata të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe t’i përfaqësojnë njerëzit që jetojnë në ato zona.” – ka thënë ai.
Tutje, kryeministri irlandez foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke thënë se “nuk duhet të ketë një mikroshtet brenda Kosovës”.
“Duhet ta shohim edhe Asociacionin që po themelohet, dhe nuk duhet të ketë një mikroshtet brenda Kosovës, kjo nuk do të jetë diçka e dobishme për të ardhmen.” – ka deklaruar ai.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të reagojë ndaj shkeljeve të marrëveshjes që po i bën Serbia.
“Ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim të marrëveshjes, por edhe për respektim dhe mos shkelje të saj. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar nënshkrim. Normalizimi i marrëdhënieve nënkupton marrëveshje normale. Normalizimi duhet të jetë normal, prandaj ne insistojmë në nënshkrim të marrëveshjes. Dhe kërkojmë nga BE-ja si një arbitër gjithmonë të reagoj ndaj shkeljeve më të vogla që mund të bëhen e fatkeqësisht ati janë edhe të shumta dhe nuk janë të vogla” – ka thënë ai.