Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti ka sjellë vetëm regres në Kosovë. Ai ka akuzuar pushtetin qendror, gjatë një vizite që ka bërë të enjten në komunën e Gjakovës, ku takoi biznesmenë të kësaj komune.
Krasniqi ka thënë se qytetarët e Gjakovës po diskriminohen, sidomos me buxhetin për investimet e reja kapitale.
“Fatkeqësisht edhe Gjakova është ndër komunat e ndëshkuara nga Qeveria Kurti, sepse edhe për Gjakovën nuk është ndarë asnjë cent për investime të reja kapitale për vitin 2024. Është për keqardhje që nuk ka një mbështetje për qytetarët e Komunës së Gjakovës, ashtu siç nuk ka pasur as për qytetarët e komunave të tjera. Por, është po ashtu për keqardhje që s’ka mbështetje as për ndërmarrësit e Komunës së Gjakovës, të cilët vërtetë me sfida të shumta, po arrijnë që të krijojnë vende pune, të mbajnë njerëzit në Gjakovë dhe po ashtu, të ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal”, ka thënë Krasniqi, sipas komunikatës së PDK-së.
Krasniqi ka thënë se partia “do ta rikthejë në nivel qendror modelin efektiv të qeverisjes, që mban fjalën, kryen punë edhe ua lehtëson jetën e qytetarëve”.
“Unë jam i impresionuar nga puna që është bërë në të gjitha këto qendra e ndërmarrje të cilat i vizitova sot dhe me të vërtetë, na takon secilit, pavarësisht pozicionit, që të jemi pranë ndërmarrësve, të jemi pranë inovatorëve, që të jemi pranë qytetarëve, për të lehtësuar jetën e tyre, sepse modeli qeverisës ekzistues është model, i cili ka sjellë vetëm regres. Ndërsa, ne besojmë që do të rikthejmë modelin efektiv të qeverisjes, si një qeveri e cila e mban fjalën, që kryen punë edhe që lehtëson jetën e qytetarëve, ashtu siç po bëjmë në të gjitha komunat të cilat udhëhiqen nga kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shtuar ai.