Papa Françesku ka paralajmëruar të enjten kundër pozicioneve ideologjike që mund ta pengojnë Kishën të shohë realitetin dhe të vazhdojë përpara, teksa ka folur disa ditë pas një vendimi që lejon bekimet e çifteve të të njëjtës gjini, të cilin konservatorët e kanë dënuar, raportoi Reuters.
Françesku, i cili mbushi 87 vjeç të dielën, këtë deklaratë e ka dhënë në urimet e tij tradicionale të Krishtlindjeve për anëtarët e Curias, administrata qendrore e Vatikanit.
Të enjten ai përmendi debatin e vazhdueshëm midis progresistëve dhe konservatorëve 60 vjet pas Këshillit të Dytë të Vatikanit, i cili e futi Kishën në botën moderne.
“Të qëndrojmë vigjilentë ndaj pozicioneve të ngurta ideologjike që shpesh, nën maskën e qëllimeve të mira, na ndajnë nga realiteti dhe na pengojnë të ecim përpara”, tha ai.
Të hënën, ai miratoi një vendim që priftërinjtë mund të administrojnë bekime për çiftet e të njëjtit seks me kushte të caktuara dhe për sa kohë që ato nuk i ngjajnë martesës dhe nuk janë pjesë e ritualeve apo liturgjive të Kishës.
Ndërsa hapja e Papës ndaj bekimeve për çiftet e të njëjtit seks u mirëprit nga shumë, konservatorët thanë se kjo mund të tronditë themelet e besimit dhe madje të çojë në një përçarje të Kishës.