Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për media me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, pas takimit që patën.
Rama në fund të konferencës kur e potencoi se Erdogan do të shkojë për vizitë edhe në Beograd sot pas Tiranës, solli në kujtesë një “fakt historik”.
Ai tha se Turqia ishte e para që e njohu pavarësinë e Kosovës në një mënyrë jo veç zyrtare e diplomatike, por në një mbledhje të qeverisë turke kur Erdogan atëherë ishte kryeministër.
Në këtë drejtim, Rama tha se Kosova nuk gjen “një mik më të padiskutueshëm” sesa Turqia, raporton Gazeta Express.
“Presidenti do të niset për në Beograd dhe e sjell këtë në vëmendje për t’iu kujtuar të gjithëve një fakt historik: Republika e Turqisë kur presidenti Erdogan ishte kryeministër e ka njohur Kosovën e para. Por, nuk ka qenë një njohje e Kosovës e para thjesht zyrtare dhe diplomatike. Ka qenë një njohje e Republikës së Kosovës në kohë reale dhe në sinkron me punimet e Parlamentit të Kosovës dhe kur në momentin kur në televizor përpara të të cilit ishte mbledhur e gjithë qeveria me atëherë kryeministrin Erdogan, deputetët e Kosovës kanë ngritur dorën për të miratuar pavarësinë, Qeveria e Turqisë ka njohur Kosovë. Pra, një mik më të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti Republika e Kosovës nuk e gjen dot asgjëkundi”.
Rama në fund përmendi edhe dialogun mes Kosovës e Serbisë, për të cilin tha se duhet të “prevalojë” për të përmirësuar situatën mes dy shteteve fqinje.
“Dhe ne ndajmë shqetësimin që situata mes të dyjave shteteve duhet të përmirësohet dhe se dialogu duhet të prevalojë dhe e them këtë përpara një personaliteti që dialogu e ka pasë dhe e ka mjetin më të zakonshëm të punës me të gjithë dhe gjithmonë”.