Zyra e Kryeministrit ka bërë një reagim lidhur me incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi Presidentja Vjosa Osmani.
Kurti nuk e ka thënë ende asnjë fjalë, mirëpo zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu e ka shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, raporton Express.
MPJD ka thënë se me shqetësim ka mësuar rreth incidentit, e trajtimin ndaj Osmanit e ka quajtur jodinjitoz.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe për t’u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tone”, thuhet në reagimin e Ministrisë.