Janë identifikuar eshtrat e shtatë viktimave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Shtatë personat ishin viktima të masakrës së Kralanit dhe mbetjet qenë gjetur më herët në Bishtazhin të Gjakovës.
“Mbetjet mortore (eshtrat) e viktimave të identifikuar, janë gjetur dhe zhvarrosur nga lokacioni i varrit masiv në Bishtazhin, i trajtuar me shumë prioritet dhe profesionalizëm nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë për KOHËN Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Gara ka shtuar se procesi i zhvarrimit është kryer me kujdes dhe respekt ndaj familjeve të viktimave. Ndërkaq, ka thënë se familja vendos për datën dhe vendin e rivarrimit.