86% e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kanë deklaruar se kanë stres post-traumatik, 96% e tyre kanë thënë se kanë nivele të larta ankthi e mbi 70% kanë deklaruar se pas luftës jeta e tyre nuk ia vlente.
Këto janë të dhëna të raportit me titull “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”, i cili të enjten është publikuar nga organizata joqeveritare Medica Gjakova.
Raporti është hartuar bazuar në dëshmitë e 200 të mbijetuarve të dhunës seksuale, 191 grave dhe 9 burrave dhe është fokusuar në pasojat psikologjike, fizike dhe sociale të viktimave të dhunës seksuale.
Në konferencën ku janë prezantuar gjetjet e raportit, Dea Fetiu , nga kjo organizatë ka thënë se gjysma e pjesëmarrësve në studim e kanë përshkruar gjendjen e tyre shëndetësore si shumë të dobët.
Ajo ka theksuar se hulumtimi e përmbush një boshllëk kritik hulumtues, 25 vjet pas luftës, kur ende, sipas saj, ka pak të dhëna për të mbijetuarit e dhunës seksuale, raporton EO.
“Tash pas 25 vjet pas lufte ka shumë pak të dhëna, prandaj ‘Medica Mondiale’ dhe ‘Medica Gjakova’ ka bërë këtë studim në dëshmitë e mbi 200 të mbijetuarave, 191 gra dhe 9 burra. Të gjithë kanë qenë viktima të dhunës së seksualizuar gjatë luftës, të gjithë klientë të ‘Medica Gjakova’”, ka deklaruar Fetiu.
Ajo ka thënë se të mbijetuarit përballen me sida të ndryshme. “Hulumtimi zbuloi se 73% e pjesëmarrësve në studim kualifikohen për diagnozë të PTSD komplekse, me 13% të tjerë që kualifikohen për diagnozë PTSD. 95.5% e pjesëmarrësve në studim i plotësojnë kriteret për depresion klinik. 59 pjesëmarrës (29.5%) raportuan se kishin ide vetëvrasëse brenda javës së kaluar dhe 101 (50.5%) raportuan se kishin mendime për vetëlëndim që nga lufta, dhe 142 (71%) që mendonin se jeta nuk ia vlente të jetohej më. 96% e pjesëmarrësve raportuan nivele të larta ankthi”, ka deklaruar Fetiu.
Raporti ka nxjerr të dhëna edhe për shëndetin e tyre.
“Pothuajse gjysma e pjesëmarrësve në studim raportuan se e perceptojnë shëndetin e tyre si të dobët 94 të anketuar, 47.5%) ndërsa vetëm 13 pjesëmarrës (6.5%) e konsiderojnë shëndetin e tyre të mirë. Më shumë se tre të katërtat e pjesëmarrësve raportojnë se vuajnë nga dhimbjet e kokës, lodhja, dhimbjet e qafës, dhe/ose dhimbjet e shpinës”, ka thënë Fetiu.
Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada, ka theksuar se hulumtimi, përveç në pasojat afatgjata, fokusohet edhe në strategjitë e tyre të ballafaqimit, përvojën e tyre dhe marrëdhëniet me mjediset e tyre të afërta, si dhe pranimin shoqëror dhe rëndësinë e mbështetjes së ofruar nga organziata që e udhëheq.
Sada ka thënë se të mbijetuarit nuk jetojnë thjesht me traumën e asaj që u është bërë gjatë luftës, por edhe me stigmatizim.
Andaj, sipas saj, ky raport është i rëndësishëm, jo vetëm për traumën por edhe stigmën që i rrethon të mbijetuarit.
“Këta persona jetojnë me frikën nga turpërimi i familjes dhe frika se do të përjashtohen nga shoqëria. Kjo kulturë e heshtjes vazhdon të jetë një pengesë në jetën e këtyre personave. Ata nuk jetojnë thjesht me traumën e asaj që u është bërë gjatë luftës, por edhe me stigmën”.
Ajo ka ndarë edhe rekomandimet kryesore të nxjerra nga hulumtimi.
“Ne duhet të sigurojmë që personeli që punon me të mbijetuarit është i trajnuar për kompleksitetin e traumës dhe stigmës. Të mbijetuarat duhet ta dinë se kur kërkojnë ndihmë, do të përballen me mbështetje dhe kujdes. Medica Gjakova dhe Medica Mondiale u kanë dhënë këtë mbështetje, por siç tregon studimi, ka ende shumë punë”, ka thënë Sada.
Ndërsa, Barbara Umrath, konsulente e hulumtimit dhe udhëheqëse e ekipit editorial të studimit, ka thënë se studimi ka dëshmuar se viktimat kanë nevojë për mbështetje shoqërore.
“Ne shohim pasoja serioze nga ky studim. Shumica e të mbijetuarve vuajnë nga probleme të ndryshme. Më shumë se gjysma po vuajnë nga shtypja e gjakut dhe dhimbje të ndryshme”.
“Nuk ka ende aq sa duhet ndjeshmëri për këtë çështje, ende pas 20 vjet pas luftës. Duhet pa dyshim që të ketë më shumë punë dhe më shumë mbështetje. Rekomandimet tona për komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht për qeverinë gjermane, është mbështetja e të drejtave të grave përmes financimit dhe politikave më të mira”.