Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas publikimit të Indeksit Botërorë të Lirisë së Shtypit nga organizata “Reporterët pa Kufij”, në të cilin Kosova shënoi regres për 19 pozita.
“Sunduesve i pengon liria e shprehjes, liria e mediave! Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë! Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”, ka shkruar Haradinaj.
Ai e ka thënë se është shqetësuese tendenca e pushtetit për kontroll ndaj mediave.
“Shqetësues mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që u bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se si AAK qëndrojnë krah medias, në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë.
Kosova ka rënë për 19 pozita në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, për këtë vit. Nga pozita e 56-të, ku radhitej vitin e kaluar, sivjet ka rënë në pozitën e 75 në mesin e 180 vendeve.