Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, thotë se ‘përfaqësues të shteteve të ndryshme që kanë vizituar Kosovën muajt e fundit, janë të habitur se sa ‘të pranueshëm jemi në veri’.
“Shtrirja e sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, natyrisht është e lidhur me forcimin e shtetit ligjor.
Dua të ndaj me ju një përshtypje që ma kanë shfaqur shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme që kanë vizituar Kosovën dhe veriun gjatë muajve të fundit, që kanë shprehur njëfarë habie se sa të pranishme por edhe të pranueshme janë institucionet tona të sigurisë në veri.
Pritjet e tyre kur vinë në Kosovë, janë se në veri ka një refuzim total, që qytetarët serbë të Republikës së Kosovës e shohin praninë e institucioneve tona të sigurisë dhe drejtësisë si të padëshirueshme ndërsa eksperienca që kanë këta njerëz kur shkojnë në veri janë krejt e kundërta e asaj”, tha Gërvalla.
Këtë deklaratë, Gërvalla e tha në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.