Donald Trump është president i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Normalisht, në Kosovë e Shqipëri, por edhe në diasporën shqiptare, zgjedhja e Trumpit president ka ngjallur shumë reagime. Por çfarë mendojnë shqiptaro-amerikanët, që kanë zgjedhur të deklarohen publikisht? Sikurse në Kosovë, shqiptarët janë të ndarë në mendime edhe në ShBA.
Pashko Camaj, Uk Lushi dhe Agim Aliçkaj janë shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë në ShBA për shumë vite. Të tretë janë edhe aktivist të çështjes shqiptare.
Camaj, sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, tha se kushdo që vjen në krye të ShBA-së, “shqiptarët jemi në pozicion të mirë”. Sipas Camajt, shqiptarët janë të ndarë në dy taboret tradicionale politike në ShBA.
“Ne kemi shikuar nga prizma se cili president do të jetë më i përshtatshëm për çështjen e shqiptarëve. Sikur elektorati amerikan edhe ne shqiptarët jemi nda disa këndej disa andej sa i përket pikëpamjeve tona, por jemi të bindur se pavarësisht se cili do kishte fituar ne shqiptarët jemi në pozicion të mirë” – ka thënë Camaj.
Duke folur në RTK, Camaj vlerësoi se Trumpi do të jetë një energji e re që do të lëviz pak diskutimin për Kosovën.
“Trump do të jetë një energji e re që do të lëviz pak diskutimin për Kosovën në përpunimin final i cili do të jetë i favorshëm për shqiptarët por edhe për gjithë rajonin, prandaj zgjedhja e Trumpit president është shumë e rëndësishme dhe një gjë e mirë ardhur dhe mirëpritur për ne shqiptarët” – ka theksuar Camaj.
Në anën tjetër, Lushi ka vlerësuar se kushdo që të jetë në krye të ShBA-së, Amerika do të jetë me shqiptarët dhe sidomos me Kosovën. Tutje, Lushi ka pasur kritika për kritikat nga ana e shqiptarëve kundrejt Trumpit dhe rrethit të tij, por pa përmendur emra se kë po e shënjestronte kritika e tij.
“Shqiptarët do të jenë me Amerikën, pavarësisht kënd e vendos populli amerikan në krye. Amerika do të jetë me shqiptarët dhe sidomos Kosovën, pavarësisht kush është në krye të Amerikës. Shumica e interesave shqiptaro-amerikane janë konvergjente.
Disa shqiptarë kanë bërë gabime dhe gafa bukur trashanike kundrejt fituesit Trump dhe disa njerëzve të tij. Po bëjnë hapin e parë të duhur duke lëpirë atë që kanë pështyer pa asnjë mençuri dhe si amatorë të vërtetë e pa pikën e nevojës” – ka shkruar Lushi, ndër të tjera.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fuklushi%2Fposts%2F10229179125525158&show_text=true&width=500
Ndërsa Aliçkaj, anëtar i Bordit të Lidhjes Qytetare shqiptaro-amerikane, përkundër që foli në ditën e zgjedhjeve, kishte një mendim pak më kritik ndaj Trumpit. Sipas Aliçkajt, Trumpi është më i rrezikshëm.
“Administrata Trump është më e rrezikshme, por nuk i dihet asnjëherë, mbase e gjen një zgjidhje të shpejtë që t’i vihet fundi këtij konflikti” – ka thënë Aliçkaj në KTV.
Sjellim ndër mend që Trumpi fitoi zgjedhjet e pesë nëntorit, duke e mposhtur kundërkandidaten e tij demokrate, Kamala Harris. Nga Kosova në adresë të Trumpit kanë shkuar shumë urime, përfshirë një urim jo aq entuziast të kryeministrit Albin Kurti.