Disa nga njerëzit e opozitës i kanë kërkuar dhe vazhdojnë t’i apelojnë dëshpërimisht publikut t’i ndjekë në protestat e përjavshme para Bashkisë së Tiranës. Syresh madje dhe kanë fyer apatinë publike, të gjendur gjithnjë e më pa zë para një institucioni, që prej kohësh gjendet përballë edhe sulmeve të SPAK-ut. Ky nuk është i vetmi shqetësim, por publiku vërtetë reagon pak e më pak. E, jo, vetëm në Shqipëri.
Shkruan Ben Andoni
Pak kohë më parë, në një artikull për fashitjen e protestave ngado, flitej se arsyeja kryesore e mungesave të pjesëmarrjes është pikërisht fakti se: publiku gjithnjë e më shumë bindet se mungon reagimi i duhur dhe përgjegjësia e autoriteteve. Në këtë vazhdë, kryeministri Rama e ka zgjedhur përgjigjen duke e treguar dhe shënjuar përgjegjësinë si personale, kurse me metafora të ndryshme e përshkruan edhe faktin se: SPAK-u duhet t’i nxjerrë “ujët e zi” korrupsionit dhe jo vetëm.
Dëshpërimi, sot, më shumë ky argument ka bazë antropologjike dhe ne qytetarët e Lindjes e kemi të rrënjosur thellë apatinë. Sidomos brezat, që kanë njohur Socializmin dhe sfidat e dinë shumë më mirë kuptimin. Zhizhek, filozofi i njohur slloven, iu referua për këtë fenomen në ditët tona dhe të gjithë anatominë e protestave, kolegut italian Franco Berardi, sipas të cilit protestuesit e sotëm “identifikohen me vetë dëshpërimin”. Vetë Berardi e shpjegon kështu konceptin e tij: “Dëshpërimi është tipari psikologjik, por edhe kulturor, që e shpjegon identifikimin e gjerë të të rinjve sot me palestinezët. Mendoj se shumica e studentëve sot, me apo pa vetëdije, presin përkeqësim të pakthyeshëm të kushteve të jetesës, ndryshim të pashmangshëm të klimës, periudhë të tejzgjatur të luftës dhe rrezik në rritje prej reshjeve bërthamore në konfliktet në zhvillim nëpër shumë pika të hartës gjeografike”. Krahasimi ishte interesant, se ndërsa në vitin 1968 protestuesit identifikoheshin me qëndrimin antiimperialist të Vietkongut dhe ishin të majtë, sot protestuesit “identifikohen me dëshpërimin”
Ndërkohë, përballja e autoriteteve dhe e forcave të rendit me publikun synon mbrojtjen e institucioneve dhe mbi të gjitha kthimin në një normalitet (do të thotë statusquo për një klasë), paçka se vetë ato nuk e bëjnë dot sot me korrupsionin, kurse më keq akoma, protestat nuk e ndijnë dot një lëvizjeje të re politike, “përkundrazi, ato janë shprehje paniku – një refuzim i kotë për ta konfrontuar dëshpërimin që i përshkon krejt shoqëritë tona”, po përdorim argumentin te fjalët e Zhizhek.
Shumë nga shqiptarët sot janë përballë rritjeve të çmimeve, që nuk njohin ndalesë; mungesës së shpresës prej një modeli ekonomik dhe politik, që nuk tregon të ardhme të mirë dhe mbi të gjitha në një konfuzion social, prej turbulencave shoqërore, lëvizjes kaotike të njerëzve, hemorragjisë së ikjes, niveleve të krimit dhe mungesës së ndëshkimeve, por edhe tharjen totale të lajmeve të mira.
Është edhe më shqetësues fakti se Shqipëria dhe vendet e tjera, qoftë dhe ato që kanë ecur më shumë se ajo dhe madje janë anëtarësuar në BE e ndjejnë veten inferiore përballë kësaj situate, qoftë me ose pa protesta. Shpesh liderët e vendeve të Vishegradit kanë shkuar deri në ekstreme, ashtu si Polonia dhe Hungaria, e jo pak herë Çekia dhe Sllovakia që e kanë vënë në dukje, se nuk mund të trajtohen në mënyrë të pabarabartë, apo si është thënë disa herë se: vendet tona duken si ishkolonitë e dikurshme dhe se nuk mund të jenë kurrsesi të barabartë me Perëndimin kapitalist. Kurse për vendet e Ballkanit Perëndimor, vështirësitë njohin vetëm rritje, ose siç mund të llogaritet kur merr parasysh rastin e Malit të Zi. Podgorica ka gati një dekadë që ka çelur kapitujt për anëtarësim në BE dhe mezi ka mbyllur vetëm 3 syresh, llogarit, se çfarë mund të ndodhë me vendet e tjera si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Federata e Bosnjë e Hercegovinës, Kosova që janë aq larg në proceset integruese. Në këtë situatë: Si mund të menaxhohet optimizmi i njerëzve, çfarë mund t’u thuash atyre për të ardhmen e demokracisë apo detyrat që duhet të kryejnë dhe si mund të gjendet karburant për protesta?! Apo, kur mendon se Viktor Orbán është ankuar se Perëndimi e trajton Hungarinë si një koloni, çfarë mund të thuash për vendet tona, disa prej të cilave si Shqipëria janë verbërisht aq proevropiane së bashku me Kosovën.
Shqipëria, ndoshta më pak se vendet e ish-Jugosllavisë, kuptohet se po të mos ishte viti 1997, mund të kishte një pasqyrim tjetër të traumave historike. I gjithë rajoni dhe më gjerë që kap Evropën Lindore është i mbushur me histori të shënuar nga luftëra, revolucione dhe trazira politike, të cilat e kanë mbushur rajonin me trashëgimi traumash dhe vuajtjesh pafund. Kjo situatë është ndjellëse vetëm për njerëzit e kulturës, më së shumti për regjisorët që mund të mbështeten në këto histori për të krijuar rrëfime ku eksplorohen temat e humbjes, luftës dhe qëndrueshmërisë, duke kontribuar në perceptimin e rajonit si të zymtë. Jo më kot çmimet nuk mungojnë më në rajon.
Kjo zymtësi e bën publikun, që edhe me ndryshimet jo të pakta, sidomos nga ana urbanistike (më të dukshme vizualisht), të ndihet më i trishtë. Duke i dhënë situatës një dimension ndërkombëtar, endemi në kohë të pafavorshme, qysh nga Lufta në Ukrainë dhe duke vazhduar me përplasjet në Ballkan, shqetësimin për atë që mund të ndodhë në Bosnjë e Kosovë, çmimet dhe mbi të gjitha pasiguritë, atëherë një gjë është e kuptueshme, që dëshpërimi ndikon në mënyrën e jetesës, por është e pamundur të ndryshojë gjë! Paradoks. Ndaj, mosbesimi kokëfortë ndaj Evropës Lindore ka sjellë pasojat më të rënda. Pse nuk po integrohet në grup? Pse NATO vendosi, në konferencën e Bukureshtit të vitit 2008, të mos e pranonte Ukrainën, kur kishte nisur të ndihej paq rreziku rus? Pse, pavarësisht nga kërkesat e saj të pasionuara, Ukraina ende nuk është pranuar në Bashkimin Evropian dhe ndoshta kurrë nuk do të pranohet në Bashkimin Evropian? Mbase, presioni rus ishte sigurisht faktori kryesor, por edhe europianizmi lindor duhet të ketë luajtur një rol, sipas specialistëve. Rezultati është i njohur për të gjithë, shkruan në argumentin e tij profesori i Antropologjisë, Ivan Kalmar, në Shkollën Munk të Çështjeve Globale dhe Politikave Publike në Universitetin e Torontos, që drejton këto pyetje.
Por atëherë pse dëshpërimi nuk bën më të paktën karburantin e opozitës. Duket se dëshpërimi ka zënë vend dhe ka ngritur murin, ku njerëzit as nuk e shohin dot më ndryshimin, që është i nevojshëm. Ku është ai guximi i fundit për ndryshim? Pse nuk i binden opozitës? Mbase dëshpërimi ka shuar shumë gjëra dhe ka ngjallur apatinë. “Nën gjithë frikërat e tij gjendej një guxim frikacakësh […] që do ta shtynte atë të bënte pikërisht atë që e gjithë natyra e tij protestonte kundër të bërit gjëra dhe madje kishte frikë ta bënte”, – shkruante Jack London te “Ujku i Detit”, po edhe kjo s’është më ngushëllim. (Homo Albanicus)