Sekretari i Shtetit britanik, Davod Cameron dha lajmin nga Shqipëria bashkë me kryeministrin Edi Rama, se Britania e Madhe do të përfshihet në projektin e ndërtimit të hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në një pjesë të madhe të konferencës për shtyp me Lordin Cameron, u fokusua në këtë projekt.
Sot kemi një mik të vecantë, një personalitet të njohur të politikës. Pasi jo vetëm kemi një mik nga një vend që është një aleat dhe partner shumë i rëndësishëm, Sekretarin e shtetit, Lordin Cameron por edhe në të njëjtën kohë një mik të posaçëm të këtij rajoni dhe të Shqipërisë që më në fund erdhi në Tiranë, pasi e ka marrë ftesën prej disa vitesh dhe tani jam i bindur që do të rikthehet përsëri.
“Sot kemi diskutuar për marrëdhëniet tona shumë të mira dypalëshe dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre, për të cilin kemi folur qoftë në aspektin e marrëdhënieve si dy vende aleate në NATO qoftë edhe në aspektin e marrëdhënieve bilaterale në kushtet kur Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë.
Pa hyrë në të gjitha planet e bashkëpunimit tonë bilateral, dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik, me rëndësi të vecantë për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë e cila është një element kyc i projektit të rritjes së kapacitetit të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona por në rajon dhe më gjerë, duke pasë parasysh që së shpejti hapim garën ndërkombëtare për Portin e ri tregtar të Durrësit.
Jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare nga NATO për krahun ushtarak të NATO-së.
Edhe Kosova do të ndërtojë një Port të thatë në Prishtinë, për të gjitha këto së bashku, ky është projekt që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur dëshirën të përfshihet qoftë me financimin qoftë me ekspertizën.
I jam mirënjohës Sekretarit, pasi është avokat shumë i rëndësishëm i yni në mbështetje të të gjitha proceseve trasnformuese në rajonin tonë”, tha kryeministri Rama, përcjell Nacionale.
Sekretari Cameron, përgëzoi kryeministrin Edi Rama dhe Shqipërinë për të gjitha arritjet, duke e quajtur një ‘histori të vërtetë suksesi’.
“Më vjen keq që është një vizitë e shkurtër. Shqipëria është vërtetë histori suksesi. Keni bërë punë të shkëlqyer dhe një lidership edhe në Këshillin e Sigurimit dhe ju uroj për këtë, jo vetëm që keni fituar zgjedhje më shuëm se unë por keni dhënë qëndrim të qartë se ku duhet të jetë Shqipëria në sferën e NATO dhe BE-së.
Ajo që dua të them në emër të kryeministrit britanik, Sunak, është që kjo ka qenë një nga partneritetet më të frytshme dhe më positive për ne, eksportet janë rritur 20% me ne”, tha Cameron.
Ai foli edhe për projektin hekurudhor nga Durrësi në Prishtinë.
“Kemi projekte shumë emocionuese si për shembull hekurudha që shpjeguat nga Prishtina për në Durrës, që do të jetë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën por gjithë rajonin”, tha ai.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në takim në Tiranë, sekretarin e jashtëm të Britanisë, David Cameron.
Temë diskutimi mes kryeministrit Rama dhe sekretarit Cameron, ishte edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kemi diskutuar edhe për ecurinë e proceseve të pajtimit dhe të bashkëpunimit në rajon. Lordi Cameron është një mbështetës i vendosur i këtyre proceseve dhe dihet botërisht që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht një interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë, por ku në vijimësi ka edhe ngecje në vend apo në vijimësi dihet edhe rreziku i kthimit mbrapa”, tha Rama./Nacionale/