“Serbia është bërë shtet i vrasjeve politike. Prapa nesh janë vrasjet politike të Ivan Stamboliqit, Zoran Xhinxhiqit, atentati në Vuk Drashkoviqin, vrasja e Curuvisë dhe së fundi vrasja e Oliver Ivanoviqit”.
Këto deklarata i ka bërë sot nga veriu i Mitrovicës politikani opozitar serb, njëherësh deputet në Kuvendin e Serbisë, Borisllav Novakoviq, gjatë shënimit të përvjetorit të gjashtë të vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq, ku ndezën qirinj familjarë, miq, politikanë lokalë e më gjerë, si dhe qytetarë tjerë.
Novakoviq nga Lëvizja Popullore serbe, tha se Serbia nuk mund të jetë shtet i civilizuar, derisa këto vrasje mbeten të pazgjidhura dhe derisa vazhdojnë të ekzistojnë rrethanat për vrasje të tilla.
Ai tha se Serbia nuk do të qetësohet derisa të zbulohen vrasësit, urdhërdhënësit dhe organizatorët e vrasjes.
“Do t’ju përkujtoj dhe kjo e rëndon fuqishëm klimën politike në Serbi, se jemi bërë shtet i vrasjeve politike. Prapa nesh janë vrasjet politike të Ivan Stamboliqit, Zoran Xhinxhiqit, atentati në Vuk Drashkoviqin, vrasja e Curuvisë dhe së fundi vrasja e Oliver Ivanoviqit. Këto e rëndojnë ndërgjegjen e kësaj shoqërie. Serbia nuk mund të jetë shtet i civilizuar, derisa të gjitha këto vrasje mbeten të pazgjidhura dhe derisa të ekzistojnë rrethanat, mundësitë dhe një ambient që këto vrasje i bënë të mundshme. Janë të turpshme fjalitë të cilat i dëgjojmë nga përfaqësuesit e pushtetit. Do t’ju përkujtoj se në Kuvend kemi pasur rastin të dëgjojmë ministrin e policisë i cili akuzon Gjermaninë se e din kush është vrasësi dhe se e mbron atë. I njëjti, Gashiq, në kohën e vrasjes ka qenë kryesori në BIA, ndërsa në momentin kur jep deklaratë, e cila është e papërgjegjshme, është njeriu i parë i policisë serbe. Kështu nuk veprohet… Ne nuk do të qetësohemi derisa të mos zbulohen vrasësit, urdhërdhënësit, si dhe organizatorët e kësaj vrasjeje”, ka thënë Novakoviq.