Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar, ka theksuar edhe njëherë tjetër se me ardhjen e demokratëve në pushtet, do vendoset minimumi jetik, pensionet, bursat prej 200 euro dhe rroga minimale 500 euro.
Sipas tij, “Paratë për vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro, pensioneve, bursave prej 200 euro dhe rrogë minimale 500 euroshe, do u merren hajdutëve”.
Berisha, gjatë fjalës në tubimin qytetar, u shpreh se taksapaguesit shqiptarë nuk do të paguajnë më për naftën dhe shoferët e zv/ministrave dhe drejtorëve, madje se këtyre te fundit do t’u hiqen edhe makinat.
“Kanë dy ditë që buritë e propagandës së mashtrimit bien në të katër anët, pas premtimeve solemne që bëra këtu para jush se, me fitoren e opozitës dhe PD-së akti i parë do të jetë vendosja e minimumit jetik, 200 euro dhe se nuk do të ketë në Shqipëri, pension ndën 200 euro, nuk do të ketë bursë studentësh ndën 200 euro dhe se, rroga minimale do të rritet në 500 euro. Tani ftoj të gjithë ata të cilët këtë pyetje e shtrojnë me seriozitet. Se vërtetë mendojnë se ato para është vështirë të gjinden. Unë i garantoj se ata para gjendjen edhe në buxhetin e këtij viti. Se ato para gjenden edhe pa hequr nga plani i punëve publike asnjë kilometër rrugë, asnjë shkollë, asnjë kopsht, asnjë spital, asnjë çerdhe. Po ku do mirren atëherë këto para? Do u merren të gjitha hajdutëve, hajdutëve, hajdutëve të pashpirtë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh po ashtu se “turistët janë shumë të mirëpritur, por kurrë nuk do të paguani ju më nga taksat tuaja, 230 euro për turist dhe turisti të paguajë 4 euro për frymë, për shqiptarët. Turistët janë të mirë se ardhur, por turizmi nuk mund të jetë parajsë për investitorët strategjikë pa taksa të Edi Ramës dhe ndëshkim, ndëshkim për qytetarët shqiptarë”, vijoi Berisha.