Bashkimi Evropian thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe jashtë dialogut të Brukselit.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se kryeministri Albin Kurti duhet të ecë përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023, rrjedhimisht edhe të nisë hapat për themelimin e Asociacionit.
“Sipas Marrëveshjeve përkatëse të Dialogut të 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e AKS-së duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog. Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së, dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015″.
“Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë Statutin jashtë dialogut. Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe të Kosovës”, tha Stano për KP.
Më tej, Stano shton se draft-statuti evropian për Asociacionin bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane si dhe në kornizën ligjore të Kosovës.
Sipas tij, Kurti e ka pranuar në parim draft-statutin, në prani të liderëve evropianë dhe se i njëjti është mbështetur nga 27 vendet e BE-së. Andaj, siç thotë ai kualifikimi i këtij dokumenti si një “non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dialogun e Brukselit.
“Ky Draft Statut Evropian bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Drafti iu prezantua kryeministrit Kurti personalisht nga ndërmjetësuesi i BE-së së bashku me Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së. Në një takim të nivelit të lartë në mbështetje të dialogut në prani të presidentit Macron, kryeministrit Meloni dhe kancelarit Scholz, të dyja palët pranuan në parim Draft Statutin Evropian”.