“Nuk besoj që një vizitë e tillë mund ta formësojë vendimarrjen për Kosovën, por është fakt i pamohueshëm që Kenia ka qenë e hapur për ta shqyrtuar njohjen e Kosovës”.
Ky është vështrimi i ish-kryediplomatit kosovar, Enver Hoxhaj, në lidhje me vizitën ofansive-diplomatike të Zonjës së Parë të Serbisë, Tamara Vuçiq, në Kenia, vizitë kjo e cila u shpërnda me të madhe në mediat serbe si “parandalim i njohjes së Kosovës” dhe “heqje e njohjes nga tryeza” e frazuar në ngjyrat më propagandistike.
Bashkëshortja e Aleksandar Vuçiqit u prit nga Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kenisë – ndërsa ajo ua rikujtoi se Jugosllavia kishte qenë ndër të parët që kishte njohur Pavarësinë e Kenisë më 1963.
Mediat serbe iu referuan “një letreje konfidenciale në mars 2023” që Presidenti i Kenisë, William Samoei Ruto, i kishte përcjellur ish-Ministrit të Jashtëm, Behxhet Pacolli, se njohja e Kosovës ishte gjë që pritej të materializohej; dhe vizita e Tamara Vuçiqit ishte “për ta parandaluar njohjen”.
Petrit Selimi, ish-Ministër i Jashtëm, po ashtu e quan “përpjekje të kotë të Serbisë dhe një lloj agresioni diplomatik” në një përgjigje me shkrim për Nacionalen.
Hoxhaj referuar mundësisë reale që Kenia ka për ta njohur Kosovën gishtin e fajit e drejton kah qeveria kosovare që “ka humbur momentumin” për ta materializuar atë ndërsa thotë se ky afinitet i këtij shteti afrikan vjen “falë marrëdhënie të mira të zotit Behxhet Pacolli me Presidentin e Kenias”.
“Shpesh vendimet për njohje kanë të bëjnë me atë kur një vend ka një ndryshim politike sikurse në Kenia, ardhja e një presidenti pro-pavarësisë së Kosovës, të cilin edhe unë e kam disa herë personalisht, sesa mund edhe të finalizohet shpejte në vendimmarrje. Duket se askush në qeveri nuk e kupton se në politikë çdo ditë është e re dhe ngjarjet i tejkalojnë ngjarjet, duke u humbur shanse të arta”, tha Enver Hoxhaj për Nacionale.
Për Petrit Selimin ky zhvillim nuj është i mirë, por megjithatë “nuk e ndryshon faktin që Kosova është vend i njohur botërisht”.
“Fatkeqësisht pak jemi marrë diplomatikisht me shtetet afrikane dhe aziatike. Përpos ish-Presidentit Pacolli që ka lidhje të fuqishme dhe investime në Keni, prezenca jonë është minimale. Besoj se duhet riformatizim i plotë diplomatik dhe fokus në organizata multilaterale si Këshilli i Evropës dhe shtetet që kanë potencial për njohje”, tha Selimi,
Për Enver Hoxhajn, politika e jashtme kosovare nuk ka kapitalizuar mbi mundësitë e materializimit të ndonjë njohje të re në këto vende ku ka pasur ndryshime në politikat e brendshme: përkatësisht, në ardhjen në pushtet atje të forcave perëndimore.
“Kosova ka mundur të merr disa njohje të reja në disa vende ku ka ndodhur ndryshim politik i brendshëm dhe ku kanë ardhur në pushtet forca pro-perëndimore, por nuk e ka pasur askënd që as ti lexojë drejtë dhe as të veprojë politikisht shpejt”, tha ai.
“E shoh të rrezikshme sjelljen e politikës së jashtme serbe në Afrikë në premisat e një Neo-Titizimi, duke goditur dhe izoluar tërësisht Kosovën në këtë kontinent”, përfundoi Hoxhaj për Nacionale.
Tamara Vuçiq, në një konferncë për media në Keni, përcolli “mesazhe të vullnetit të mirë” të Aleksandar Vuçiqit, duke u zotuar për 150 mijë euro ndihmë për viktimat e vërshimeve në Keni.
Ditë më parë Zëvendës Ministri i Jashtëm nga radhët e Vetëvendosjes, Kreshnik Ahmeti, u shpreh i bindur se Serbia “ka dështuar” në fushatën e saj çnjohëse dhe të parandalimit të njohjes së Kosovës ndërkombëtarisht.
“Në vitet e fundit kanë dështuar në secilin lobim në drejtim të këtij qëllimi”, tha Ahmeti, siç e citoi RTV21./Nacionale/