Një nga pikat e para që koalicioni VLEN i ka kërkuar aleatit të tij të ardhshëm VMRO-DPMNE, me të cilin pritet të krijojë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 8 Majit, është dalja nga nisma Vuçiç-Rama për Ballkanin e Hapur. VLEN ku bën pjesë dhe Vetëvendosja ka rënë dakord për parimet e përgjithshme të bashkëpunimit për qeverinë e ardhshme me partnerin maqedonas. Duke cituar burime nga takimi, Alsat Maqedoni ka njoftuar se VMRO-DPMNE dhe VLEN janë marrë vesh për daljen e Maqedonisë së Veriut nga “Ballkani i Hapur”.
“VLEN ka kërkuar dalje nga Ballkani i Hapur dhe një ide e tillë është përqafuar nga VMRO-DPMNE”, raportoi Alsat.
LEXO ME TEJ:
Courrier des Balkans: Rama-Vuçiç, ushtarët e vetmuar të Ballkanit të Hapur
Kjo me sa duket është arritur parimisht ditën e takimit kur kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, së bashku me nënkryetarët Aleksandar Nikoloski, Vllado Misajlovski, Timço Mutsunski dhe Gordana Koçoska Dimitrieska, u pritën në selinë e Vlen në Shkup nga Arben Taravari, Izet Mexhiti, Biljal Kasami dhe Afrim Gashi.
Më parë, me gjysëm zëri edhe Edi Rama kishte shpallur kryerjen e misionit të nismës së tij dhe Vuçiçit. Gjatë një interviste për Euronews, ne korrik 2023 Rama shpalli nga Ulqini fundin e projektit të “Ballkanit të Hapur”, një pjellë ekskluzive e miqësisë së tij dhe Vuçiçit.
Atëhere, ai foli për Ballkanin e Hapur në kohën e shkuar, si për një mision tashmë të kryer.
Piruetat/ Dy fytyrat e Ramës për “Open Balkan”
Por qëndrimet e kryeministrit shqiptar kanë qenë kontradiktore në lidhje me Open Balkan. Kur u pyet ne fund të dhjetorit 2023 ai tha se nuk e ka mbyllur nismën duke pretenduar se deklaratat e tij të mëparshme janë keqkuptuar.
Gjatë një konferencë të fundvitit në Tiranë, Rama tha se “sot po e marr vesh se unë e paskam mbyllur Ballkanin e Hapur se nuk më rezulton që unë të kem bërë ndonjë mbyllje, madje unë e kam shpjeguar që Ballkani i Hapur nuk hapet dhe nuk mbyllet me një çelës nga një person apo nga njëra palë”.
Alternativa e Ramës: “Ballkan i hapur”, ose luftë dhe gjakderdhje”
Ai u pyet nga gazetarët për deklaratën e tij në Korrik, kur kishte thënë se Ballkani i Hapur ishte një nismë për “ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe se e kishte kryer atë mision për të cilin lindi”.
Duke iu përgjigjur pyetjes, Rama tha: “Unë nuk kam thënë asnjëherë që kam mbyllur Ballkanin e Hapur se është dhe si shprehje qesharake. Unë kam thënë diçka krejt tjetër që është thënë në një kontekst të caktuar dhe shprehimisht kam thënë që e ka kryer misionin e vet në atë kontekst, por që nisma në vetvete është një nismë që është si nisma të tjera dhe që nuk hapet dhe nuk mbyllet nga unë.”
Ballkani i hapur, shqiptarët të shqyer/ Si i ndau Vuçiç, Tiranën dhe Prishtinën
Ndërkojë që kryeministri i Shëqipërisë bën pirueta sipas rastit, homologu i tij kosovar, Albin Kurti ëshë deklaruar gjithnjë kundër kësaj nisme. Dhe sot afërsia e Vetëvendosjes me koalicionin VLEN po i jep frytet e saj. Duket se një nga lëvizjet e para të qeverisë së re në Shkup, do të jetë dalja nga Open Balkan, pra fundi i kësaj aventure.
Nisma Ballkani i Hapur, e cila fillimisht është quajtur Mini Schengen, është ndërmarrë më 10 tetor 2019, në Novi Sad, dhe është nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.