Bashkimi Evropian ka kritikuar operacionin e sotëm policor në veri të Kosovës, ku u mbyllën nëntë zyra postare. BE-ja e ka dënuar këtë veprim si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”, duke paralajmëruar se do të ketë një ndikim të dëmshëm në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit lokal.
BE-ja thekson se mbyllja e këtyre zyrave postare bie ndesh me marrëveshjet e përcaktuara në Marrëveshjet e Telekomunikacionit të vitit 2013 dhe Planin e Veprimit të vitit 2015, teksa kujtoi se palët ishin pajtuar që “çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut”.
Blloku rikujtoi se sipas këtyre marrëveshjeve, çdo çështje në lidhje me shërbimet postare do të zgjidhej me dialog.
“Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet, të arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, të dyja palët ranë dakord që shërbimet postare t’i diskutojnë “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut. Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës”, thuhet në komunikatën e zyrës për media të BE-së, raporton Radiotelevizioni Publik.
Në komunikatën BE-së theksohet më tej se “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje”, duke shtuar se mbyllja e postave “do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, theksohet në komunikatë.
Mbyllja e zyrave postare në veri
Policia e Kosovës u ka vënë drynin disa objekteve në veri që shfrytëzoheshin nga Posta e Serbisë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Sipas njoftimit të policisë, mbyllja e tyre është bërë “mbi dyshimin e bazuar se të njejtat kanë operuar pa liçencë dhe nuk kanë qenë të regjistruara në institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës”.
“Lidhur me operacionin policor të realizuar sot në veri të Kosovës, me vendim të autoritetit kompetent janë mbyllur nëntë posta, mbi dyshimin e bazuar se të njejtat kanë operuar pa liçencë dhe nuk kanë qenë të regjistruara në institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës.
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dëshmi relevante.” – thuhet në njoftim.