Ndërsa në sallën e Kuvendit të Shqipërisë zhvillohej seanca plenare të enjten, jashtë saj mbështetës të opozitës kanë protestuar duke u përplasur fizikisht me efektivët e policisë të vendosur para godinës.
Deputetët e opozitës kanë mbajtur fjalime me tone të ashpra ndërsa kërkesa për mocion për debat me kryeministrin Edi Rama, u rrëzua.
Flamur Noka së bashku me të tjerë kolegë të tij të opozitës, bllokuan foltoren, duke u dashur më pas ndërhyrja e gardës. Pas disa paralajmërimesh, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka përjashtuar nga seanca Nokën.
Edhe jashtë situata paraqitej e tensionuar, ku protestuesit pasi dogjën goma, hodhën molotov, gurë dhe shishe uji drejt efektivëve, nisën edhe përplasjet fizike me policinë, duke kërkuar që të çajnë kordonin dhe të futen në Kuvend.
Ndërkohë në oborrin e Kuvendit, autoritetet janë në gatishmëri dhe të pozicionuar përballë protestuesve./ TCH