Shtetet e Bashkuara kanë qortuar ashpër Qeverinë e Kosovës në lidhje me operacionin e sotëm policor në veri të Kosovës, ku u mbyllën nëntë degë të Postës Serbe. Administrata amerikane shprehu zhgënjimin e thellë për operacionin, duke e kritikuar atë se është ekzekutuar pa koordinim, duke rrezikuar kështu një përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve në rajon.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se veprime të tilla shtojnë rrezikun si për qytetarët e Kosovës ashtu edhe për ushtarët e KFOR-it.
ShBA theksoi se lëvizje të tilla jo vetëm që përshkallëzojnë tensionet rajonale, por gjithashtu rrezikojnë pozitën e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.
Në deklaratë bëhet thirrje që Qeveria “të ndalojë çdo veprim të mëtejshem të njëanshme” dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”– thuhet në reagim.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fkosovo.usembassy%2Fposts%2Fpfbid0246j3Pior7amyMCaa74MkWsMFDzwXU5tR8DRrZHaZfGzEDuUt46qYoBNKntCnYN26l&show_text=true&width=500
Reagim për mbylljen e postave pati edhe nga Bashkimi Evropian duke e cilësuar veprimin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.
BE-ja thekson se mbyllja e këtyre zyrave postare bie ndesh me marrëveshjet e përcaktuara në Marrëveshjet e Telekomunikacionit të vitit 2013 dhe Planin e Veprimit të vitit 2015, teksa kujtoi se palët ishin pajtuar që “çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut”.
Blloku rikujtoi se sipas këtyre marrëveshjeve, çdo çështje në lidhje me shërbimet postare do të zgjidhej me dialog.
“Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet, të arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, të dyja palët ranë dakord që shërbimet postare t’i diskutojnë “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut. Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës”, thuhet në komunikatën e zyrës për media të BE-së, raporton Radiotelevizioni Publik.
Në komunikatën BE-së theksohet më tej se “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje”, duke shtuar se mbyllja e postave “do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, theksohet në komunikatë.