Sipas presidentit ukrainas, Zelensky, Kievi duhet të menaxhojë fondet e ndihmës gjermane për refugjatët ukrainas. A do të ishte e mundur diçka e tillë?
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky beson se paratë e taksapaguesve gjermanë të shpenzuara për strehimin e refugjatëve ukrainas në Gjermani mund të menaxhohen edhe nga qeveria në Kiev. “Do të ishte më mirë nëse Gjermania do t’i mbështeste ukrainasit duke i vendosur këto para në buxhetin tonë dhe Ukrainado t’i shpërndante paratë në varësi të vendit ku është personi”, tha Zelenski në një intervistë me ARD më 28 janar.
Si shpjegim, Zelenski shtoi se disa ukrainas që jetojnë në Gjermani morën përkohësishtndihmë financiareedhe gjatë qëndrimit në shtëpi. Ndërkohë që refugjatët e ikur morën me vete edhe kursimet e tyre nga Ukraina. Prandaj, Ukrainës i mungojnë jo vetëm qytetarët, por edhe paratë e tyre për ekonominë e vendit të shkatërruar nga lufta.
Agjencia për Punë dhe asistenca sociale
Në buxhetin federal gjerman për vitin 2024, parashikohen vetëm deri në gjashtë miliardë euro për shpenzimet e jetesës së refugjatëve ukrainas në moshë pune. Kjo paguhet si ndihmë sociale, i ashtuquajturi “Bürgergeld”. Shuma e ndihmave është 563 euro në muaj për çdo të rritur që është i regjistruar në Agjencinë për Punë. Aktualisht i marrin këto ndihma rreth 700,000 ukrainas, nga rreth 1.1 milion refugjatë ukrainas që janë regjistruar zyrtarisht në Gjermani. Pjesa tjetër janë fëmijë dhe persona në moshë pensioni që marrin mbështetje nga burime të tjera.
Sipas të dhënave nga Agjencia federale e Punësimit, rreth 20 për qind e refugjatëve ukrainas në Gjermani punojnë, pjesa tjetër marrin përfitime sociale. Përveç shpenzimeve të jetesës, qiraja dhe shërbimet komunale mbulohen gjithashtu nga buxheti federal. Rreth 80 për qind e refugjatëve ukrainas nuk jetojnë në strehimore, por në apartamente. Shteti ndan 750 deri në 850 euro për person në muaj vetëm për ndihmën sociale dhe financimin e strehimit. Përfitimet sociale për pensionistët dhe shtesa për fëmijë, si dhe kostot e sigurimit shëndetësor dhe kurset e integrimit nuk përfshihen në këtë shumë dhe paguhen veçmas.
Nuk ka keqpërdorime sistematike
Zbatimi i idesë së Zelenskit është i pamundur sipas ligjit gjerman, shpjegon Margret Boeve nga shoqata sociale VdK Gjermani në një intervistë për DW. “Kjo ndihmë paguhet vetëm në Gjermani. As gjermanët që jetojnë jashtë vendit nuk i marrin këto përfitime”, thotë ajo. Sipas saj, ideja e Zelenskit është krejtësisht në kundërshtim me sistemin e përfitimeve sociale në Gjermani, i cili bazohet në atë që njerëzit kanë nevojë për një ekzistencë minimale, për shembull kur kujdesen për fëmijët dhe arsimin..
Ekspertja kundërshton pretendimin e Zelenskit se disa ukrainas marrin përfitime si në Ukrainë ashtu edhe në Gjermani. “Nëse paraqitet një kërkesë për ndihmë sociale ose ndihmë bazë në pleqëri, kontrollohet edhe nëse kanë pension apo pagesa të tjera nga Ukraina. Më pas refuzohet,” tha Boeve. Por nëse ajo që marrin refugjatët nga Ukraina nuk mjafton për jetesë, ata do të marrin para shtesë në Gjermani.
Në përgjigje të kërkesës së DW dërguar Agjencisë përpara intervistës së Zelenskit me ARD, shërbimi për shtyp i Agjencisë për Punë njoftoi se nuk kishte informacion për keqpërdorim sistematik të përfitimeve nga ukrainasit. Megjithatë, ata shpesh nuk e dinë se duhet të paraqiten në qendrën e punësimit kur të shkojnë në shtëpi në Ukrainë për një kohë, si dhe kur të kthehen në Gjermani.
Miliarda për buxhetin e shtetit dhe refugjatët
Sipas llogaritjeve të Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, Berlini mori detyrime financiare për të mbështetur Kievin në shumën totale prej 21 miliardë euro në dy vitet e fundit të luftës. Kjo, megjithatë, nuk përfshin shpenzimet vjetore për përfitimet sociale për refugjatët ukrainas që shkojnë deri në gjashtë miliardë euro.
Në të njëjtën kohë, shumë herë më shumë shpenzohet për pagesat për refugjatët sesa, për shembull, për ndihmat humanitare që rrjedhin në Ukrainë. Në dy vitet e fundit ajo arriti në 2.4 miliardë euro. Pjesa më e madhe e ndihmës gjermane shkon për ushtrinë – në dy vitet e fundit ishte 17 miliardë euro. Përveç ndihmës direkte nga buxheti federal, Gjermania është kontribuuesi më i madh edhe në buxhetin e Bashkimit Evropian, nga i cili Ukraina mori ekuivalentin e 19.5 miliardë dollarëve në vitin 2023, sipas qeverisë në Ukrainë.
Në përgjithësi, ndihma financiare nga donatorët perëndimorë që shkoi drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit të Ukrainës në vitin 2023 korrespondonte me rreth 80 për qind të shpenzimeve të Ukrainës për përfitimet sociale si pensionet dhe pagesat për personat e zhvendosur brenda vendit.
“Njerëzit kanë nevojë për perspektivë”
Por disponimi në Gjermani në lidhje me mbështetjen financiare për Ukrainën po përkeqësohet. Sipas një sondazhi të publikuar në fillim të janarit nga sondazhi i ARD-së DeutschlandTrend, 41 për qind e të anketuarve besojnë se Berlini po i jep Ukrainës shumë ndihmë financiare – pothuajse dy herë më shumë se në prill 2022.
Sipas Margret Boeve, nuk ka alternativë për shpenzimet aktuale. Ajo thekson se ukrainasve duhet t’u jepet kohë për të mësuar gjuhën gjermane dhe për të marrë kualifikimet e nevojshme shtesë profesionale në mënyrë që të integrohen në tregun gjerman të punës, sipas nivelit të arsimimit. “Njerëzit kanë nevojë për perspektivë, nuk mund t’i mbani të presin me vite”, thotë Boeve.
Sipas një studimi të publikuar verën e kaluar nga Instituti Federal për Kërkimin e Popullsisë, pothuajse gjysma e refugjatëve ukrainas (44 për qind) duan të qëndrojnë në Gjermani, pavarësisht se si dhe kur përfundon lufta./DW/