Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri të hënën thirrje aleatëve që të shfaqin të njëjtin “unitet” ndaj Ukrainës siç bënë ndaj Izraelit kur penguan sulmet ajrore iraniane ndaj Izraelit gjatë fundjavës.
“Duke mbrojtur Izraelin, bota e lirë ka treguar se një unitet i tillë jo vetëm që është i mundur, por është 100 për qind efektiv”, tha Presidenti Zelenskyy.
Në një postim në rrjetin Telegram, Presidenti Zelenskyy falenderoi aleatët që kishin dërguar më shumë ndihmë për mbrojtjen ajrore ukrainase , por tha se “intensiteti i sulmeve ruse kërkon unitet më të madh“, të njëjtë si ajo që treguan për mbrojtjen e Izraelit.
“E njëjta gjë është e mundur për mbrojtjen e Ukrainës nga terrori, e cila, si Izraeli, nuk është anëtare e NATO-s”, vazhdoi ai.
Ai bëri thirrje që aleatët e Ukrainës të dëshmojnë më shumë “vullnet politik”, pasi Ukrainës po i mbarojnë municionet dhe ka dëshpërimisht nevojë për më shumë mbrojtje ajrore për të zmbrapsur sulmet ruse.
Presidenti Zelenskyy lëshoi thirrjen e tij të fundit për ndihmën e aleatëve, duke thënë se Rusia po shkakton “dëme të konsiderueshme” çdo ditë.
Paketa e ndihmës amerikane
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, pritet të vendosë këtë javë se si do të veprojë me projektligjin me fondet shtesë prej 95 miliardë dollarësh të Presidentit Joe Biden, e cila përfshin 60 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarë për Izraelin.
Projektligji parashikon mbështetje partnerët në rajonin e Indo-Paqësorit si dhe ndihmë për kufirin SHBA-Meksikë. Paketa u miratua nga Senati, por është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve./VOA/