Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden do të takohet me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky këtë javë gjatë qëndrimit në Francë ku do të marrin pjesë në shënimin 80-vjetorit të zbarkimit të trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, tha më 4 qershor këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.
Presidenti francez, Emmanuel Macron do të presë gjithashtu presidentin ukrainas në Paris më 7 qershor, njoftoi Pallati Elyse.
Në Normandi do të mblidhen liderët e 25 shteteve dhe qeverive, së bashku me dhjetëra veteranë të Luftës së Dytë Botërore, për t’i nderuar gati 160.000 trupa nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e tjera, të cilët zbarkuan më 6 qershor 1944.
Vizita shtetërore e Bidenit do të mundësojë “bashkëpunim të ngushtë” mes Francës dhe SHBA-së për krizat botërore, në prag të ngjarjeve ndërkombëtare.
Ndërkohë, kryeministrja italiane, Georgia Meloni tha se Zelensky do të marrë pjesë në samitin e Grupit të Shtatë ekonomive të mëdha (G7) që do të mbahet nga 13 deri më 15 qershor në rajonin jugor italian të Pulias.
Biden do të marrë pjesë gjithashtu në samit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Gjatë ngjarjes së 13 dhe 14 qershorit në Pulia, Biden dhe udhëheqësit e G7 do të diskutojnë “një sërë çështjesh më të ngutshme globale, duke përfshirë mbështetjen e palëkundur për Ukrainën”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
“Udhëheqësit e G7 do të ndërmarrin hapa për të promovuar sigurinë ekonomike dhe qëndrueshmërinë”, thuhet në deklaratë.
Ajo shtoi se Biden dhe udhëheqësit e G7 do të “dyfishojnë angazhimin e tyre për të mbështetur vendet në zhvillim që duan të investojnë në të ardhmen e tyre”./REL/