Kina shtroi tapetin e kuq për “Carin” e Rusisë. Kështu, me nderimet më të larta shtetërore, e priti presidenti Xi Jinping, homologun e tij Vladimir Putin, në vizitën e parë jashtë vendit pas nisjes së mandatit të pestë.
Pasi parakaluan afër njerëzve me armë, dëgjuan të shtëna përshëndetëse me top dhe himnet respektive në sheshin Tiananmen, dy liderët folën për paqe dhe thellimin e miqësisë mes Moskës dhe Pekinit. Xi Jinping dhe Putin firmosën deklaratën e përbashkët për partneritet strategjik. Lideri kinez foli për një epokë të re në raportet me Rusinë, por nuk harroi dy krizat më urgjente të botës, luftën Izrael-Hamas dhe konfliktin në Ukrainë.
“Unë dhe presidenti Putin u pajtuam për nevojën urgjente për të zgjidhur konfliktin mes Izraelit dhe Palestinezëve. Është e nevojshme të zbatohen me zell rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe që çështja Palestineze të zgjidhet në bazë të dy shteteve. Ne të dy u pajtuam se zgjidhja politike për krizën ukrainase është drejtimi i duhur”, u shpreh Xi Jinping, president i Kinës.
Putin falenderoi mikun e tij kinez për qëndrimin e shprehur dhe për ofrimin e një plani paqeje në Ukrainë. Por shefi I Kremlinit kërkoi një aleancë me Pekinin për të vendosur një arkitekturë të re të sigurisë në rajonin e indo-paqësorit, për të sfiduar prezencën apo aleatët e Amerikës.
“Së bashku po punojmë për një rend botëror multipolar më të drejtë dhe demokratik, i cili duhet të bazohet në rolin qendror të Kombeve të Bashkuara, në Këshillin e Sigurimit, ligjin ndërkombëtar, varietetin kulturor dhe të civilizimit, si dhe në interesin e barabartë të të gjithë anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar”, tha Putin.