Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë gjatë luftës, William Walker tha se për ish-drejtorin politik të UÇK-së, Hashim Thaçin, kishte thënë gjëra “goxha të këqija” gjatë kohës sa ai ishte president.
Walker ishte në emisionin “ZEN” në T7, ku tregoi një ngjarje në javët e fundit të presidencës së Thaçit, ku ia kishte shprehur pendimin e tij. Aty, diplomati amerikan tha se e ndryshoi përceprimin për Thaçin.
“Deri kur u bë president, unë pata raport të njëjtë me të, siç kisha me Ramushin ose me të tjerët politikanë, si Limaj… përmendni ju. Ai ishte dikush që e vizitoja pothuaj sa herë që vija këtu. Gjatë pjesës më të madhe të presidencës së tij, kam qenë kritik ndaj Hashim Thaçit. Shpesh disa gjëra që i kam thënë, kur i shikoj mbrapa, ishin goxha të këqija për Hashim Thaçin, kryesisht për qeverinë e asaj kohe. Gjatë javëve të fundit të presidencës së tij, unë isha këtu dhe ishte shtruar një darkë për nder timin nga vetë ai dhe nga Behgjet Pacolli. Ishte një numër i madh njerëzish dhe në fund të darkës sikur u ndjeva disi i qetë dhe u ngrita dhe thashë disa fjalë, e shikova presidentin Thaçi dhe i thashë: tash pendohem që kam thënë shumë gjëra negative për ty dhe disa prej tyre shpresoj të mos i kesh marrë si personale. Nuk e dija se si do të përgjigjej. Ai u ngrit dhe tha disa gjëra shumë, shumë të bukura. Ai tha se i kujtohen shumë nga këto gjëra që ia kisha thënë, por kurrë nuk i kam marrë si kritika personale. Gjithmonë i kam marrë ato si përpjekje tuaja për të më bërë mua dhe Kosovën një vend më të mirë. Dhe nuk ka ndjenja të vështira. Aty e ndryshova perceptimin tim për Hashim Thaçin”, tha Walker.
Tash, ai tha se ndjen obligim që të kontribuojë që Thaçi dhe ish-krerët tjerë të UÇK-së të liroheshin nga ndjekja penale e Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa paralajmëroi se mund të paraqitet si dëshmitar i Mbrojtjes.
“Më pas, kur ai hasi në vështirësitë në të cilat ndodhet edhe tani, jo vetëm sepse ai po i nënshtrohet një ndjekjeje shumë të padrejtë në Hagë, por gjithashtu ndjehem i obliguar të përpiqem të bëj diçka të bëj gjërat më mira për të. Edhe për Kadri Veselin, edhe për Jakup Krasniqin. Mendoj se ata po trajtohen në mënyrë shumë të padrejtë nga Gjykata e Hagës. Unë jam përpjekur të bëj ç’është e mundur për t’i ndihmuar ata dhe shpresoj të paraqitem si dëshmitar mbrojtës kur prokuroria përfundimisht t’i japë fund ndjekjes penale. Ndaj, ndjej se kam qenë shumë i padrejtë ndaj tij kur ishte president, se i personalizova disa gjëra që nuk do të duhesha, dhe do të doja të kontribuoja që drejtësia të vendoset në Hagë, e cila mendoj se nuk po ndodh aktualisht”, tha Walker.